Lidhje

Delegacioni i Prishtinës në Vjenë për bisedimet me Beogradin


Delegacioni i Kosovës udhëtoi të dielën pasdite për në Vjenë të Austrisë ku të hënën do të takohet me delegacionin e Beogradit për të diskutuar të ardhmen politike të Kosovës.

Anëtarët e delegacionit thanë se ky takim është pjesë e procesit që do të çojë drejt përmbushjes së vullnetit të qytetarëve të Kosovës. Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se në takimin e nesërm shkohet me mandatin e dhënë nga qytetarët e Kosovës për ta bërë atë shtet të pavarur. “Në këtë drejtim do të ofrojmë edhe vizionin tonë për të ardhmen e Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj duke qenë shumë koshient për sfidat e mëtejshme të zhvillimit të nevojshëm ekonomik dhe të demokracisë në Kosovë", tha presidenti Sejdiu.

Kryeministri i Kosovës Agim Çeku nuk prêt shumë nga takimi i nesërm që sipas tij është pjesë e një procesi më të gjatë. “Pres shumë që të ndodhë pas këtij takimi që shumë opsione të hapen, shumë dyer të hapen dhe procesi të përshpejtohet. Kështu që ne duhet ta kalojmë këtë. Shkojmë atje për të prezantuar pikëpamjet tona. Tashmë Kosova demokratike, Kosova funksionale, stabile e shumetnike, ekziston, është fakt”, tha kryeministri Çeku.

Në Vjenë po shkohet me qëndrime të prera tha ndërkaq kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kolë Berisha. “Të themi para botës se nuk do të bisedohet për statusin e Kosovës. Statusi është i pa negociueshëm”, tha zoti Berisha.

Për Hashim Thaçin, shef i partisë kryesore opozitare, Partisë Demokratike, realiteti i Kosovës së pavarur është ndërtuar në vitin 1999 me luftën dhe sakrificën e qytetarëve të saj. “Tash është vetëm përshpejtimi i procesit për zyrtarizmin e Kosovës së pavarur nga bashkësia ndërkombëtare. Unë kam besim në Kosovën e pavarur demokratike sovrane ku cdo qytetar do t’i gëzojë të drejtat e veta të barabarta”, theksoi zoti Thaçi.

Sipas Veton Surroit, kryetar i partisë reformiste ORA po fillon një fazë e re dhe këtë takim paraprak do ta pasojë një periudhë më e vështirë sesa deri tash. “Kjo fazë do të nënkuptojë natyrisht që çështja e statusit hyn si pako nga ana e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë”, theksoi zoti Surroi. Për ministrin e shëndetësisë Sadik Idriz, që përfaqëson pakicat jo serbe takimi i nesërm është fillimi i zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës. “Pres që bisedimet të jenë të vështira por shpresoj se pala e Kosovës është fort e përgatitur dhe e di se çfarë do”, tha ministri Sadik Idriz.

Përfaqësues të zyrës së ndërmjetësuesit ndërkombëtarë Marti Ahtisaari thonë se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e takimit të parë në nivelin më të lartë politikë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ku do të shtrohet për diskutim vetë çështja e statusit politikë të Kosovës.

Zyra e zotit Ahtisaari nuk pret ndonjë kthesë të madhe pas takimit të së hënës, por siç thuhet palët do kenë mundësi t'i parashtrojnë pikëpamjet e tyre për të ardhmen e Kosovës. Secila palë do të ketë fillimisht nga 45 minuta kohë për të paraqitur qëndrimet e saj. As vetë pjesëmarrësit nuk presin shumë nga takimi për shkak të qëndrimeve tërësisht të kundërta. Zyrtarët e Beogradit pohojnë se janë të gatshëm t'i ofrojnë Kosovës një shkallë të lartë të autonomisë në kuadër të Serbisë.

Ndërkaq delegacioni i Prishtinës thekson se pavarësia e Kosovës, është e pa negociueshme. Në takimin e nesërm pritet të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit, të NATO-s, të Bashkimit Evropian, të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Kosovën, Frank Wisner.

Takimi i nesërm pritet të pasohet edhe me takime të tjera gjatë muajve të ardhshëm dhe gjatë kësaj kohe do të vazhdojnë bisedimet edhe për çështjen e decentralizimit të pushtetit dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Shtatë raunde bisedimesh për këto çështje nuk kanë shënuar ndonjë përparim të madh prandaj as dita e nesërme nuk pritet të lëvizë gjërat nga vendi, por ky takim do të shënojë fillimin e një faze të re në procesin e zgjidhjes së statusit politikë të Kosovës.

XS
SM
MD
LG