Lidhje

Organizata Kombëtare e Grave feston 40 vjetorin e krijimit të saj


Këtë fundjavë, Organizata Kombëtare e Grave feston 40 vjetorin e saj me një konventë që mbahet në Albany, të shtetit të New Yorkut. Kjo organizatë ka bërë përpjekje të vazhdueshme për pjesëmarrjen e miliona grave amerikane në fushën ekonomike, shoqërore dhe politike.

Autorja feministe Betty Fridan mori pjesë në një konferencë kombëtare mbi statusin e grave, në qershor të vitit 1966. Atë e shqetësonte fakti se megjithë miratimin në vitin 1964 të Aktit për të Drejtat Civile, që ndalonte diskriminimin mbi bazën e seksit, racës, fesë, apo origjinës kombëtare-gratë ende përballeshin me pabarazi serioze në çdo aspekt të jetës së tyre.

Zonja Fridan shkroi deklaratën themeluese të Organizatës Kombëtare të Grave. Në të thuhet,”Synimi është të ndërmarrë veprime, në mënryë që gratë të kenë pjesëmarrje të plotë në rrjedhën e shoqërisë amerikane, në partneritet dhe me të drejta të barabarta me burrat.”

Claire Moses është profesoreshë për studimet mbi gratë në Universitetin e Merilendit. Ajo thotë se organizata përcaktoi një ndërgjegje të re për gratë amerikane.

"Ndërgjegjësimin me idenë se përcaktimi amerikan i drejtësisë nuk na lejohej ne grave".

Presidentja e Organizatës, Kim Gandy, hyri në të kur ishte 19 vjeçe. Ajo thotë se organizata e ka ndryshuar me të vërtetë qëndrimin e saj ndaj grave në mbarë vendin. Zonja Gandy ka punuar si aktiviste në nivelet lokale, shtetërore dhe më pas ato kombëtare për më tepër se 30 vjet.

"Një nga hapat e parë që ne ndërmorëm ishte të realizonim një urdhër ekzekutiv për fillimin e kontratave federale të punësimit për gratë, një veprim që hapi qindra mijëra, e ndoshta miliona vende pune për gratë, gjë për për të cilën ato as që kishin menduar fare më parë. Shumë shpejt pas kësaj, ne hapëm qendrën e parë për krizën e përdhunimeve, si dhe qendrat e para për dhunën familjare në mbarë vendin. Ne krijuam termin ngacmime seksuale dhe pastaj arritëm që të miratoheshin edhe ligje lidhur me këtë çështje".

Organizata Kombëtare e Grave ka 500 mijë anëtare dhe 550 degë në çdo shtet amerikan, si dhe në një numër të madh kolegjesh. Gjatë viteve, kjo organizatë është përpjekur për t’u dhënë grave mundësinë për arsimim dhe punësim. Ajo, në të njëjtën kohë, ka zhvilluar një luftë të suksesshme për të drejta të barabarta karshi ligjit(në gjykata), në vendin e punës dhe në arenat sportive.

Por kritikët thonë se qëndrimet e organizatës nuk u përshtaten vlerave të zakonshme të shoqërisë amerikane. Organizata e humbi mbështetjen e shumë politikanëve konservatorë në fillim të viteve ’80, kur mbështeti me forcë Amendamentin për të Drejta të Barabarta në Kushtetutën Amerikane.

Wendy Wright është presidente e shoqatës “Gratë e Preokupuara të Amerikës”.

"Organizata jonë u kirjuar për të siguruar një zë alternativ për Organizatën Kombëtare të Grave dhe ne jemi një organizatë paksa më e madhe në numër".

Aktualisht debati është përqëndruar tek aborti. Zonja Wright thotë se termi që përdor Organizata Kombëtare e Grave për “të drejtë riprodhimi”, është një fjalë kod për të drejtën e abortit që organizata e saj e kundërshton.

"Organizata Kombëtare ka luftuar edhe kundër rregullave më kuptimplote për abortin, siç janë njoftimi i prindit para se një vajzë në moshë të mitur kryen abort. Kjo pikëpamje ekstreme ka qenë e dëmshme për gratë".

Por Presidentja e Organizatës Kombëtare, Kim Gandy, druhet se sulmet ndaj së drejtës së grave për abort mund ta përmbysin vendimin e vitit 1973 të Gjykatës së Lartë, që u garanton grave të drejtën riprodhimit.

"Ne jo vetëm që rrezikohemi ta humbim ligjin, por ekziston një sulm i përgjithshëm ndaj së drejtës së grave për përdorimin e tabletave për kontrollin e lindjeve, edhe ndaj vetë së drejtës për marrjen e tabletave për kontrollin e shtatzanisë dhe kjo është një e drejtë, të cilën ne mund ta humbim".

Ndërsa një numër i madh grash e përqafojnë misionin e organizatës Kombëtare të Grave, disa anëtare të lëvizjes feministe thonë se organizata duhet të shkojë edhe më tej dhe të mbështesë luftën e grave në shkallë botërore, veçanërisht në vendet joperëndimore dhe ato në zhvillim.

//ze//

XS
SM
MD
LG