Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs thotë se do të shkojë të dielën në Lindjen e Mesme për bisedime lidhur me konfliktin ndërmjet Izraelit dhe guerriljeve Hezbollah në Liban.
Zonja Rajs thotë se do të vizitojë Izraelin dhe territoret palestineze. Ajo ka gjithashtu në plan të zhvillojë takime në Itali me homologë të vendeve të tjera lidhur me mënyrat për të ndihmuar Libanin të zgjidhë sfidat me të cilat ndeshet si rrjedhojë e bombardimeve izraelite.
Zonja Rajs tha se dhuna filloi si rezultat i sulmit të Hezbollahut ndaj ushtarëve izraelitë nga territori libanez. Sekretarja e Shtetit shtoi se Shtetet e Bashkuara kërkojnë që dhuna të ndalë menjëherë, por theksoi se një armpushim që nuk zgjidh rrënjët që e shkaktuan këtë gjendje, krijon një shpresë të rreme. Zonja Rajs shtoi se është e kënaqur me faktin që Izraeli ka pranuar të hapë korridore humanitare për të lejuar dërgimin e ndihmave për civilët libanezë.
Para se të largohet nga Washingtoni, Shtëpia e Bardhë thotë se zonja Rajs dhe Presidenti Bush do të diskutojnë gjendjen edhe me zyrtarët sauditë. //rd//