Lidhje

Sulmet izraelite në Liban vështirësojnë gjithnjë e më shumë situatën për popullsinë civile


Dje në ditën e tetë të fushatës ushtarake izraelite në Liban, numri i të vdekurve libanez i ka kaluar 300 vetët, pothuajse të gjithë civilë. Ndërkohë që bllokada izraelite ndaj Libanit vazhdon, rriten shqetësimet rreth një tragjedie të mundshme humanitare.

Dita e tetë e sulmeve ajrore izraelite vazhdoi me goditjet e Libanit jugor dhe Luginës Bekaa në lindje. Ministri libanez i ekonomisë dhe tregëtisë, Sami Haddad, u tha gazetarëve se kjo ishte dita më vdekjeprurëse që kur Izraeli filloi sulmet e tij para një jave.

“Ne po përballemi me të vërtetë me një tragjedi humanitare. Vlerësohet të kemi rreth gjysëm milioni refugjatë. Sot, numri i të vdekurve ishte 55, dhe ky është numri më i madh i të vdekurve civilë, në krahasim me ditët e tjera. Kjo e rrit numrin e përgjithshëm të të vdekurve në 300 njerëz.”

Dhuna filloi para një jave pasi grupi ekstremist Hezbollah kaloi kufirin me Izraelin dhe rrëmbeu dy ushtarë izraelitë. Izraeli thotë se ka shkatërruar gjysmën e arsenalit të Hezbollahut gjatë sulmeve ajrore një javore.

Nga qendra e tij në Libanin jugor, grupi Hezbollah ka vazhduar të hedhë raketa në Izraelin verior. Sulmet e fundit të Hezbollahut shkaktuan vdekjen e dy fëmijëve arabë izraelitë në Nazaret. Shkëmbime të ashpra zjarri mes trupave izraelite dhe ekstremistëve të Hezbollahut përgjatë kufirit shkaktuan dje vdekjen e dy ushtarëve izraelitë dhe plagosjen e nëntë të tjerëve.

Në Beirut, ministri Haddad përsëriti kërkesën e qeverisë libaneze për armëpushim dhe tha se ministria e tij po punon për t’u siguruar që furnizimet me artikuj të domosdoshëm të mos mbarohen.

“Ne kemi furnizime të artikujve të domosdoshëm që mund të zgjasin për rreth dy muaj. Por, për shkak të vështirësive në transport dhe nga fakti që urat janë hedhur në erë, është bërë shumë e vështirë që këto furnizime të shpërndahen në disa zona të vendit. Bombardimet ajrore të Izraelit nuk e bëjnë këtë më të lehtë. Dhe çdo automjet i madh transporti si kamionët po bombardohen. Prandaj gjendja është shumë e vështirë.”

Ndërkohë, evakuimi i të huajve nga Libani ka vazhduar. Shumica e njerëzve që po largohen me anije civile dhe ushtarake janë shtetas libanezë që kanë nënshtetësi të dyfishtë. Pasaportat e tyre perëndimore po e bëjnë të mundur që ata t’u ikin bombardimeve izraelite dhe kaosit që mund të pasojë. Biznesmeni Alec Jevarian shpreh pakënaqësinë e tij tepër të madhe që po largohet në këto kushte.

“U largova nga Libani në vitin 1975 kur isha nëntë vjeç. Dhe tani po largohem me fëmijët e mi pas 25 vjetësh. U ktheva këtu para gjashtë vjetësh nga Kanadaja, hapa biznese dhe vende pune, dhe tani gjithçka është ndërprerë. Ç’mund të them? Kjo është e tmerrshme për këtë vend. Shpresoj që situata të zgjidhet shpejt, sepse këta njerëz nuk e meritojnë këtë gjendje.”

Për herë të parë dje, ushtria izraelite bombardoi një zonë të banuar që nuk është shiite. U hodh në erë një kamion që hap puse në një lagje të Beirutit të quajtur Akrafije, një zonë e krishterë ku nuk ka fare prani të Hezbollahut. Disa banorë të kësaj zone dhe analistë politikë besojnë se arsyeja ishte për t’i dërguar një mesazh udhëheqësit të krishterë më me ndikim, gjeneralit Michel Aoun, i cili është aleat politik i Hezbollahut.

XS
SM
MD
LG