Lidhje

Presidenti Bush i vë veton projekt-ligjit për kërkime mbi qelizat embrionale


Presidenti Bush i vuri veton një projekt-ligji, i cili do të lehtësonte kufizimet mbi kërkimet me fonde federale, që përdorin qeliza nga embrionet e njeriut. Kjo është hera e parë që presidenti Bush hedh poshtë një projekt-ligj të miratuar nga kongresi i kontrolluar prej republikanëve.

Projekt-ligji gëzon mbështetjen e shumicës së anëtarëve të kongresit amerikan, por presidenti thotë se kërkime të tilla janë moralisht të gabuara.

“Ky projekt-ligj kapërcen kufijtë moralë që shoqëria jonë duhet të respektojë, prandaj i vura veton .....”

Duke folur në një dhomë plot me kundërshtarë të kërkimeve mbi qelizat embrionale, presidenti tha se është e mundur që shkenca të ecë përpara, ndërsa respektohet dinjiteti i jetës njerzore.

“Mendoj se me teknikat dhe politikat e duhura, ne mund të arrijmë përparime shkencore, ndërsa përmbushim përgjegjësitë tona etike.”

Kjo është një çështje shumë emocionale. Shkencëtarët thonë se kërkimet mbi qelizat embrionale mund të gjejnë kura për sëmundje si parkinsoni, diabeti dhe dëmtimet e shtyllës kurrizore. Ata thonë se këto qeliza unike mund të zhvillohen në qeliza të ndryshme të rriturish me funksione specifike dhe kështu mund të përmirësojnë ose shpëtojnë jetën e një numri të madh njerzish të sëmurë ose të plagosur.

Qelizat embrionale nxirren nga embrione të shumta të krijuara në klinikat për gratë që kanë vështirësi të lindin. Gjatë procesit të kërkimeve, embrionet shkatërrohen. Presidenti Bush tha se shkatërrimi i jetës së njeriut është një veprim i gabuar, edhe kur bëhet në faza krejt të hershme, dhe kjo është baza e vetos së tij.

“Ndërsa shkenca na sjell më afër se kurrë në gjetjen e sekreteve të biologjisë së njeriut, ajo ofron gjithashtu joshje për të manipuluar me jetën e njeriut dhe për të shkelur dinjitetin njerëzor. Ndërgjegja dhe historia jona na kërkojnë që t’u rezistojmë joshjeve të tilla.”

Në vitin 2001, presidenti Bush dha urdhër që kërkimet atëhere të filluara me fonde federale mbi qelizat e nxjerra nga embrionet mund të vazhdonin, por nuk do të shkatërroheshin embrione të tjera.

Projekt-ligji i sapo miratuar nga kongresi i heq këto kufizime dhe shton numrin e kërkimeve, që financohen me fonde federale.

Ai u miratua me një mbështetje të gjerë nga të dy partitë politike, Megjithatë as senati dhe as Dhoma e Përfaqësuesve nuk e kanë shumicën prej dy të tretash që duhet për të përmbysur një veto presidenciale.

Në të njëjtën kohë, përkrahësit e projekt-ligjit thonë se nuk do të dorëzohen. Mes tyre është edhe anëtari më i ri i senatit amerikan, demokrati nga New Jersey, Robert Menendez. Nëna e tij e moshuar vuan nga alcaimeri, sëmundje që prek kujtesën dhe sistemin e të menduarit.

“Nëna ime nuk është e famshme. Ajo nuk mban konferenca shtypi, por ajo meriton të jetojë me dinjitet. Kërkimet me qelizat embrionale mund të krijojnë për të dhe për miliona njerëz të tjerë mundësinë që të jetojnë me dinjitet dhe të mos ndahen për së gjalli me të afërmit e tyre.”

Ish presidenti Ronald Reagan vdiq nga alcaimeri para 2 vjetësh. Gruaja e tij, Nancy Reagan personalisht kontaktoi anëtarë të senatit që t’u kërkonte të mbështesnin shtimin e fondeve për kërkimet me qelizat embrionale. Por zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se zonja Reagan nuk i telefonoi presidentit Bush rreth vendimit të tij për t’i vënë veton projekt-ligjit. //ze

XS
SM
MD
LG