Lidhje

Një naftësjellës i ri lehtëson furnizimin e Perëndimit me naftë


Një naftësjellës 1 mijë e 800 kilometra i gjatë që lidh rezervat e naftës në Detin Kaspik të Azisë Qendrore me portet e Turqisë u hap zyrtarisht pas 10 vjetësh punime. Projekti është një arritje ekonomike si për vendet naftë-mbajtëse, ashtu edhe për ato që furnizohen me naftë në Perëndim.

Naftësjellësi i ri lidh Azerbaixhanin, Gjeorgjinë dhe portin mesdhetar të Xheihanit në Turqi. Projekti prej 4 miliardë dollarësh i pati fillesat para mbi një dekade. Naftësjellësi fillon nga fushat naftëmbajtëse të Detit Kaspik, që vlerësohen të jenë të tretat më të mëdha në botë.

Shtysa për projektin ishte dëshira për të zgjeruar furnizimet me energji për vendet e Evropës Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara, të etura për naftë. Jan Cummins është përfaqësues i kompanisë British Petroleum, përkrahësi kryesor i projektit.

“Naftësjellësi Baku-Tbilisi-Xheihan është një nga projektet më të mëdha të llojit të vet në botë, si përsa i takon përmasave, ashtu edhe rolit strategjik dhe ekonomik. Kompletimi dhe përgatitja operacionale e tij dërgojnë një mesazh të fortë”.

Ky mesazh u bë më i qartë javën e kaluar kur Presidentët e Turqisë, Gjeorgjisë dhe Azerbaixhanit së bashku me autoritete nga e gjithë bota u mblodhën për një drekë zyrtare për projektin në Turqi. Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan tha se naftësjellësi do t’i sjellë përfitime të mëdha ekonomike rajonit. Presidenti gjeorgjian Mikhail Saakashvili beson se ai shënon një fazë të re në sipërmarrjen e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse.

“Jo vetëm për vendet që po shesin energji, por as për vendet që po e blejnë atë, monopolet nuk i sjellin përfitime afatgjata asnjërës palë. Dhe pa një alternativë, Evropa dhe bota do të ishin në pozitë të vështirë. Alternativat e lehtësojnë gjendjen, sjellin përmirësim, sjellin zhvillim real ekonomik dhe mundësi”.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore kanë punuar për disa vjet që naftësjellësi të vihej në punë. Ata besojnë se ai do të pakësonte fuqinë e Rusisë për të kontrolluar eksportet e burimeve të energjisë nga ish-republikat sovjetike. Ai është ndërtuar në mënyrë të tillë që të anashkalojë zonat që mund të kenë konflikt përfshirë Iranin dhe Irakun. Naftësjellësi forcon gjithashtu pozitat e Turqisë si një korridor kryesor energjie mes lindjes dhe perëndimit. Naftësjellësi pritet të arrijë kapacitetin 1 milionë fuçi në ditë deri në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG