Lidhje

Raporti i Brukselit: E ardhmja e Kosovës lidhet me integrimin në BE


Sot në Bruksel Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian iu rikthyen zhvillimeve në Kosovë, pasi morën në dorë raportin e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Havier Solana, si dhe të Komisionerit të Bashkimit për Zgjerimin, zotit Oli Rehn. Siç theksoi për shtypin një zëdhënës i Komisionit Evropian, në raport thuhet se e ardhmja e Kosovës është e lidhur me integrimin e mëtejshëm në Bashkimin Evropian.

Raporti thekson se Bashkimi u ka dërguar një mesazh të qartë autoriteteve në Kosovë se përmbushja e standarteve të Kombeve të Bashkuara është jo vetëm e nevojshme për t'i hapur rrugën zgjidhjes së statusit, por gjithashtu edhe për përmbushjen e kritereve politike të Traktati i Kopenhagës në periudhën afat-gjatë.

Autorët e raportit vënë në dukje në përfundimet e tyre se objektivi i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Kosovës është që Kosova të bëhet një partnere e besueshme, e cila të përparojë drejt integrimit në Bashkim së bashku me pjesën tjetër të rajonit. Ky proces, thuhet në dokument, do të forcojë Kosovën si një njësi funksionale politike dhe ekonomike.

Raporti paraqitet ndërkohë që organizata po përpiqet të kristalizojë më qartë rolin e saj në Kosovë. Zyrtarët evropianë kanë ngritur kohët e fundit shqetësimin se koha po kalon pa ndonjë rezultat të dukshëm. Kryeministri finlandez, Matti Vanhanen, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, theksoi më së fundmi se mbetet në fuqi afati i mëparshëm për zgjidhjen e statusit brenda këtij viti, por se nuk është e sigurtë që ky afat do të respektohet.//lk

XS
SM
MD
LG