Presidenti Bush thotë se përpjekjet për uljen e defiçitit po shkojnë mirë dhe me shpejt nga ç’parashikohej. Ai tha sot se shkurtimet e taksave kanë stimuluar ekonominë dhe se rritja ekonomike ka përmirësuar të ardhurat. Defiçiti është 127 miliardë dollarë më i ulët nga ç’pritej. Presidenti Bush i kërkoi gjithashtu Kongresit që ta lërë mënjanë politikën dhe të kufizojë shpenzimet për programet për pensionet dhe kujdesin shëndetësor për të moshuarit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Paula Wolfson njofton se Presidenti e përshëndeti njoftimin për buxhetin, duke thënë se poltikat e tij ekonomike po funksionojnë:
Specialistët e buxhetit në administratë thonë se defiçiti i buxhetit do të jetë rreth 30 për qind më i ulët sesa ç’parashikohej para gjashtë muajve. Presidenti Bush thotë se ky është lajm i mirë:
“Parashikimi ynë fillestar për defiçitin buxhetor të këtij viti ishte 423 miliardë dollarë. Dhe ne menduam se ashtu do të ndodhte dhe atë shifër e dërguam në Kongres. Sipas raportit që morëm sot defiçiti për këtë vit do të jetë në të vërtetë rreth 296 miliardë dollarë”.
Presidenti ftoi aleatët në Kongres dhe përkrahës të tjerë të Shtëpisë së Bardhë për një bisedë për ekonominë. Ai tha se defiçiti është ulur sepse politikat e tij për uljen e taksave kanë stimuluar rritjen ekonomike.
“Bizneset e vogla u zhvilluan, u bënë investime, të ardhurat janë rritur dhe ne kemi bërë përparim drejt përgjysmimit të defiçitit federal deri në vitin 2009. Në fakt jemi një vit përpara”.
Presidenti Bush i bëri thirrje Kongresit të vazhdojë rrugën drejt përparimit ekonomik, duke i mbajtur nën kontroll shpenzimet në fusha jo të lidhura me sigurinë kombëtare. Ai tha se plotësimi i kërkesave dhe nevojave të shërbimeve të armatosura mbetet një përparësi.