Lidhje

Anija Discovery nuk ka nevojë për riparime dhe do të kthehet në tokë pas 8 ditësh


Anëtarët e ekuipazhit të anijes së hapësirës Discovery mësuan sot nga qendra e kontrollit të misionit se kthimi i tyre në tokë është i sigurtë dhe kjo do të bëhet pas 8 ditësh. Pati disa shqetësime në se materiali izolues i anijes duhej të riparohej para se anija të kthehej në tokë, por inxhinjerët vendosën se materiali nuk përbën rrezik.

Astronautët thonë se janë të kënaqur me mbarëvajtjen e misionit të tyre, gjatë të cilit deri tani kanë bërë një ecje në hapësirë dhe sot do të bëjnë ecjen e dytë mes 3 ecjeve të planifikuara në hapësirë, ndërkohë që ecja e parë në hapësirë është shikuar si sukses.

Gjatë ecjes së parë në hapësirë të shtunën, astronautët Mike Fossum dhe Piers Sellers qëndruar 340 kilometra mbi tokë në majë të krahut 30 metra të gjatë për të testuar qendrueshmërinë e tij.

Krahu i lëvizshëm i është shtuar një krahu robot të anijes Discovery, duke u dhënë kështu astronautëve më shumë mundësi që të ekzaminojnë një teknikë riparimi që mund të përdoret për heqjen e materialit të tepërt izolues.

Duke folur me gazetarët nga stacioni i hapësirës, astronauti Sellers tha se kishte mbetur i kënaqur me ecjen e parë.

“Mendoj se ne të gjithë, përfshirë kolegët tanë në tokë, ndjehemi se ecja e parë në hapësirë ishte e sukseshme; se krahu i lëvizshëm mund të përdoret si platformë riparimi. Mendoj se ne morëm të dhënat që na duheshin.”

Krahu i lëvizshëm është pjesë e një procedure inspektimesh që agjencia amerikane e hapësirës NASA zhvilloi pas katastrofës së anijes tjetër të hapësirës Columbia.

Anija Columbia u shpërbë para më shumë se 3 vjetësh ndërsa hynte në atmosferën e tokës, pasi materiali izolues ishte dëmtuar gjatë nisjes. Të shtatë astronautët në bordin e Columbias humbën jetën.

Deri tani, kontrollorët e misionit thonë se anija Discovery duket në gjendje të mirë, ndërkohë që astronautët ndjehen rehat rreth kthimit të sigurtë në tokë. Ky është misioni i dytë në hapësirë që nga katastrofa e Columbias.

Komandanti i misioneve të hapësirës, Steven Lindsay thotë se NASA ka punuar shumë për rifillimin e këtyre misioneve.

“Përshëndes të gjithë inxhinjerët dhe të gjithë punonjësit e misionit të hapësirës që kanë punuar me intensitet për një kohë shumë të gjatë, në përpjekje për të zgjidhur një problem tepër, tepër të vështirë. Është një kënaqësi e madhe që anija Discovery ta përfundojë me sukses misionin e saj.”

Ecja e sotme në hapësirë do të përqëndrohet në mirëmbajtjen e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës si dhe do të transferohen pajisje shkencore. //ze//

XS
SM
MD
LG