Lidhje

Gjermani: sot fillojnë gjysmëfinalet e Botërorit 2006


Sot në Gjermani fillojnë gjysmëfinalet e Botërorit 2006. Siç njofton nga Dortmundi korrespondenti ynë Parke Brewer, të katër ekipet që do të përpiqen për titullin janë të gjitha evropiane.

Hera e fundit kur të katër gjysmëfinalistet e një kampionati botëror kanë qenë evropiane ishte viti 1982, kur Italia, Franca, Polonia dhe Gjermania e atëhershme Perëndimore u ndeshën për titullin e botës. Kësaj radhe katër finalistet janë Italia, Franca, Gjermania dhe Portugalia. Ndeshja e parë gjysmëfinale fillon sonte në orën 21 në Dortmund midis Italisë dhe Gjermanisë. Për mikpritësen e kampionatit, Gjermaninë, Dortmundi është vendi ideal sepse atje ekipi kombëtar ka fituar 13 herë, ka barazuar një herë dhe nuk ka humbur anjë herë. Mesfushori gjerman Philipp Lahm, thotë se fakti që ndeshja luhet në Dortmund e rrit shumë besimin e ekipit për fitore.

"Mezi pres të luaj në stadiumin e Dortmundit ku ekipi gjerman nuk ka pasur humbje vitet e fundit. Kjo na jep besim për rezultatin e ndeshjes."

Megjithëse shumë tifozë, duke përfshirë edhe gjermanë, nuk kishin menduar se ekipi i tyre do të arrinte në gjysmëfinale, një fitore e mundëshme ndaj Italisë, do ta bënte Gjermaninë për herë të dytë radhazi finaliste në një kampionat botëror. Ndërsa hera e fundit që Italia ka fituar një botëror ka qenë viti 1994 në Shtetet e Bashkuara. Gjysmëfinalja tjetër mes Portugalisë dhe Francës do të luhet nesër në Mynih.//ii

XS
SM
MD
LG