Në Shqipëri Byroja Federale amerikane e Hetimeve, FBI i dhuroi sot Drejtorisë së Krimit të Organizuar dhe Drejtorisë së Luftës kundër Krimeve të Hapura dhe Terrorizmit, në Ministrinë e Brendshme disa pajise me vlerë 335 mijë dollarë. Ato përfshijnë 100 kompjutera tavoline, 8 kompjutera laptop, 30 printera, një makinë faksi, 10 automjete, gjashtë motoçikleta, dhe 55 jelekë anti-plumb.
Ky dhurim synon të ofrojë mbështetje për mbrojtjen e personelit të ngarkuar me arrestimin e kundravajtësve të dhunshëm, teknologji të përmirësuar kompjuterike për të analizuar grupe komplekse të krimit të organizuar dhe shkëmbyer informacione, si edhe mjete të tjera të sofistikuara për të ndihmuar në identifikimin dhe mbledhjen e provave kundër grupeve të krimit të organizuar.
Marrëveshja e dhurimit u firmos nga Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë Marsi Ris dhe Ministri i Brendshëm Sokol Olldashi. Javën e kaluar Shtetet e Bashkuara ofruan një tjetër ndihmë, duke dhënë një sistem informatik shkëmbimi informacioni mes prokurorive dhe policisë shqiptare.//lk