Sot në Bruksel u zhvillua takimi i 14 i grupit konsultativ të punës Bashkimi Evropian-Shqipëri. Kjo është mbledhja e parë që zhvillohet pas nënshkrimit më 12 qershor të marrëveshjes së Stabilizim Asocimit.
Në rend të ditës kanë qenë çështje që lidhen me kthimin e kompensimin e pronës, lirinë e medias apo dhe reformës elektorale. Këto dy çështje të fundit kanë qenë dhe më problematiket.
Një ditë më parë parlamenti shqiptar miratoi pa asnjë ndryshim ligjin e kthyer një herë pas nga presidenti Alfred Moisiu për mediat elektronike. Opozita e kundërshtoi hapur këtë ligj duke konsideruar se ai synon vënien nën kontroll nga ana e qeverisë të televizionit publik dhe atyre private. Debate të ashpra ka patur sot në Bruksel për këtë pikë edhe mes kryetarit të Këshillit Kombëtar të Radiotelevizioneve Halil Lalaj dhe përfaqësuesve të qeverisë shqiptare.
Edhe për çështjen e reformës zgjedhore delegacioni nga Tirana ka qenë në pozitë të vështirë pasi dje socialistët deklaruan ndërprerjen e bashkëpunimit me demokratët për reformën zgjedhore në shenjë proteste për miratimin e ligjit mbi mediat. Ekspertët e Komisionit Evropian janë interesuar për ecurinë e komisioni parlamentar të reformës, i cili dhe më parë ka qenë i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve për regjistrin që do të përdoret për votuesit në zgjedhjet e ardhshme vendore.//rd//