Kryeadministratori i Kosovës Soren Jessen Petersen njoftoi se do të largohet nga posti në fund të muajit.
Zoti Jessen- Petersen, diplomat danez dhe ekspert për çështjet e refugjatëve, tha sot se po largohet për t’u kthyer tek familja e tij, pas afro dy vjetësh në postin e guvernatorit të Kombeve të Bashkuara në Prishtinë.
Ai e pranoi se po largohet në një moment të rëndësishëm për historinë e Kosovës, ndërsa kanë filluar bisedimet për statusin. Zyrtari i OKB-së thotë gjithsesi se ka besim që udhëheqësit e zgjedhur do ta çojnë Kosovën drejt qendrueshmërisë.
Nuk është ende e qartë nëse zoti Jessen–Petersen do të zëvendësohet në këtë detyrë, apo se kur do të bëhet zëvendësimi.
Bisedimet në Vjenë për të ardhmen e Kosovës pritet të arrijnë një pikë kulmore gjatë muajit korrik.