Që kur Shtetet e Bashkuara u bënë superfuqia e vetme botërore pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, roli i saj ndërkombëtar është analizuar brenda dhe jashtë vendit. Disa kritikë i quajnë Shtetet e Bashkuara imperialistë dhe fuqi mbizotëruese, ndërsa të tjerë thonë se ato janë mbrojtës të ligjit dhe rendit global.
Thuajse 400 vjet më parë, filozofi anglez Tomas Hobes shkruante se paqja dhe siguria mes njerëzve janë të pamundura pa një qeveri që t’i zbatojë ato. Në librin e tij të ri “A Case for Goliath: How America Acts as the World’s Government in the 21st Century” Michael Mandelbaum, analist politik në universitetin Johns Hopkins, shkruan se pas luftës së ftohtë Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e rendit botëror.
“Kjo ofron garanci. Prania e tyre ushtarake shtyp dyshimet në Evrop dhe Azi të cilat përndryshe do të ndjeheshin dhe mund të çonin në razultate të padëshiruara politike. Shtetet e Bashkuara udhëheqin luftën për parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore tek regjimet apo grupet e rrezikshme.”
Sipas profesorit Madelbaum, Amerika i ofron këto shërbime edhe në ekonominë ndërkombëtare.
Roli i Amerikës, thotë ai, sjell përfitime sepse siguron prodhime për publikun edhe pa kontrolluar politikën apo ekonominë e shoqërive të tjera. Atëherë, përse kaq shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe në botë e kritikojnë këtë Goliath zemërmirë? Interesat politike, mosmarrëveshjet për politika të veçanta dhe ndryshimet kulturore janë disa nga arsyet që ofron zoti Mandelbaum. Por disa analistë nuk janë të të njëjtit mendim.
Benjamin Barber, profesor në Universitetin e Maryland, thotë se Shtetet e Bashkuara shpesh veprojnë më shumë si fuqi mbizotëruese sesa si qeveri.
“Hegjemonia amerikane u sjell disa përfitime njerëzve. Ajo mund të sjellë kontrollin policor dhe sigurinë, para për ndihma dhe banka etj. Dhe, normalisht, një vend i pasur mund të bëjë gjëra që vendet e varfëra nuk mund t’i bëjnë. Por ato i bëjnë këto në dëm të lirisë, autonomisë, drejtësisë hoqërore dhe madje edhe pjesëmarrjes së njerëzve për të qeverisur të ardhmen e tyre, çka është edhe kuptimi i vërtetë i demokracisë.”
Profesor Barber thotë se ndryshimet e regjimit nga Shtetet e Bashkuara në Irak dhe Afganistan janë shembuj të Amerikës duke u imponuar vullnetin e saj vendeve të tjera. Ajo që i duhet botës, thotë zoti Barber, është një organizëm qeverisës shumëkombësh që të trajtojë çështjet globale si furnizimi me energji, ndotja, katastrofat natyrore, epidemitë dhe konfliktet.
Por disa analistë, përfshirë profesor Robert Lieber në Georgetown University, thonë se organizatat shumëkombëshe kanë qenë të paefektshme në periudha krizash. Ai përmend raste si gjenocidin në Ruandë, masakrat në Bosnjë dhe Srebrenicë, dhe vrasjet masive dhe spastrimi etnik që po ndodhin tani në Darfur. Zoti Lieber thotë se nuk ka rol alternativ të Amerikës në çështjet globale, sepse ky është i vetmi vend që ka dëshirën të përdorë paratë dhe pushtetin ushtarak për të ndihmuar vendet e tjera.
Por, pyetja për shumë vëzhgues është nëse Amerika do të jetë në gjendje ta ruajë këtë rol udhëheqës në marrëdhëniet botërore.
Robert Guest i revistës The Economist dyshon se kjo nuk do të jetë e mundur.
"Nuk ka asgjë të paparashikuar në këtë drejtim. Kur perandorive u mbarojnë paratë, ato ose nuk kanë më dëshirë të luftojnë ose tërhiqen.”
Shumë analistë pajtohen se kërcënimi më serioz ndaj rolitglobal udhëheqës të Shteteve të Bashkuara mund të lindë pikërisht brenda vendit dhe jo jashtë tij.
Ndërkohë, fuqitë rajonale në zhvillim si Kina dhe Bashkimi Evropian po përpiqen të kenë më shumë ndikim ndërkombëtar. Por deri tani, asnjëra nuk ka fuqinë ekonomike, dëshirën politike apo fuqinë ushtarake për të arritur një konsensus ndërkombëtar për të marrë rolin udhëheqës në komunitetin botëror. Kështu që, nëse Shtetet e Bashkuara do të zvogëlonin rolin e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare, shumica e analistëve paralajmërojnë se bota mund të bëhet më e rrezikshme dhe më pak e begatë.