Lidhje

Vidino: Imigrantët shqiptarë të integruar mirë në Itali


Imigrantët shqiptarë përbëjnë komunitetin më të madh të të huajve në Itali. Analisti italian, Lorenzo Vidino, thotë se shqiptarët janë integruar mjaft mirë në jetën e vendit të tij. Përkundër njoftimeve të shtypit për individë shqiptarë të lidhur me krimin, thotë ai, kontributi i komunitetit shqiptar është i çmuar. Lorenzo Vidino, autor i librit “Al-Kaida në Evropë: Fushëbeteja e Re e Xhihadit Ndërkombëtar”, është ekspert për terrorizmin dhe imigracionin.

Zëri i Amerikës: Qindra-mijëra imigrantë shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia jetojnë aktualisht në Itali. Statistikat tregojnë se imigrantët shqiptarë përbëjnë komunitetin më të madh të imigrantëve në Itali. Sipas mendimit tuaj, a janë integruar ata mirë në shoqërinë italiane?

Lorenzo Vidino: Tani, do të thosha: Po. Kemi patur probleme në fillim të viteve 90-të me valën e parë të imigrantëve shqiptarë. Ekzistonin pobleme nga të dyja palët: Italia nuk ishte në gjendje t’i përballonte, nuk kishte përvojë në këtë aspekt dhe, nga ana tjetër, çdo dyndje në shifra të mëdha, është e vështirë të asimilohet në jetën e vendit. Kishte probleme në lidhje me krimin, integrimin e tyre etj. Tani që faza e emergjencës ka kaluar dhe një pjesë e madhe e shqiptarëve janë integruar shumë mirë, zotërimi i italishtes është faktor i rëndësishëm dhe shumica e shqiptarëve flasin rrjedhshëm. Në këtë moment, po shohim shenja mjaft premtuese.

Zëri i Amerikës: Shpesh, kryeartikujt e shtypit italian janë mbi disa shqiptarë, në shumicën e rasteve, të parë në këndvështrime jo-pozitive. Përkundër përshtypjes, cili është kontributi i vërtetë i shqiptarëve në Itali?

Lorenzo Vidino: Shqiptarët janë mjaft të vlefshëm për mbijetesën e bizneseve të vogla, në bujqësi, industri. Sot ata po japin kontribut të madh. Megjithatë vërejmë shkelje të ndryshme ligji nga individë që kanë ardhur nga Shqipëria, si në nivelin e ulët, p.sh. banda të vogla, ashtu edhe në nivelin e krimit të organizuar në bashkëpunim me krimin e organizuar italian. Kuptohet, ky nuk është problem që vjen vetëm nga shqiptarët, por edhe nga vetë krimi vendas. Dhe kjo zë vendet e para në gazeta, por nuk përfaqëson veçse një pakicë të vogël të komunitetit të madh shqiptar, kontributi i të cilit në Itali është shumë pozitiv.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për marrëdhëniet Shqipëri-Itali. Një shprehje e vjetër thotë se të gjitha rrugët të çojnë në Romë. Ç’rëndësi ka, sipas mendimit tuaj, Italia në aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian e në Nato?

Lorenzo Vidino: Marrëdhëniet ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë veçanërisht dhjetë vjetët e fundit janë shumë të mira. Në planin ekonomik, shohim interes tek të dyja palët. Përsa i përket sigurimit, mirëkuptimi ndërmjet tyre për kontrollin e imigracionit të paligjshëm nga Shqipëria dhe përmes saj, merret si model, jo vetëm për Italinë me vende të tjera, por edhe për Evropën në përgjithësi. Evropa vazhdon të ketë problemin e hyrjes së imigrantëve nga Afrika e Veriut, kurse Italia e ka eleminuar tashmë, falë marrëveshjes me Shqipërinë. Dhe kuptohet, marrëdhëniet e mira me Italinë, do të pëmirësonin shanset e Shqipërisë për marrëdhënie më të mira me Bashkimin Evropian, e përfundimisht për anëtarësim, gjë që unë e shoh disi larg për momentin, por sigurisht edhe për integrimin ekonomik, kur është fjala për mërrëveshje ekonomike me Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Kryeministri Prodi gjatë fushatës elektorale premtoi kushte më të mira dhe legalizim të imigrantëve. Para pak ditësh ministri për solidaritet social, Paolo Ferrero, deklaroi se nga fundi i këtij viti, Italia do të legalizojë gati gjysëm milioni imigrantë. Ai e shini këtë trajtim si një prirje të administratës së tanishme italiane?

Lorenzo Vidino: Po, ky ishte premtim i fushatës së kryeministrit, por nuk e di se sa do të arrijë zoti Prodi të mbajë premtimet. Arësyeja është se shumica në parlament ka diferencë të vogël me pakicën, ashtu siç ishte edhe rezultati i zgjedhjeve, dhe administrata nuk e ka forcën të zbatojë idetë e veta. Çdo ligj i propozuar nga qeveria e Prodit, do të mund të miratohet vetëm me diferencë të ngushtë votash. Dhe ky ligj për të cilin po flasim, është sulmuar me kritika të ashpra nga opozita. Partia Lega Nord dhe të tjera e kundërshtojnë fuqishëm legalizimin, sidomos kur flitet për shifra kaq të larta, gati gjysëm milioni imigrantë. Kështu që parashikoj një luftë tepër-tepër të vështirë që ligji të miratohet.

Zëri i Amerikës: Shqipëria është anëtare aktive e koalicionit kundër terrorizmit. Duke patur parasysh se shqiptarët, qoftë në Shqipëri, apo Kosovë a Maqedoni, përbëjnë një shoqëri mjaft laike, cilat janë shanset që ky rajon të bëhet strehë për terroristët?

Lorenzo Vidino: Tepër të kufizuara. Intepretimi i islamit në Shqipëri dhe në vendet-fqinje me të është tepër i moderuar, tepër i ndryshëm nga interpretimet vehab apo selaf, që ka ushqyer fondamentalizmin islamik gjatë 25-30 vitet e fundit. Shqipëria ka qenë një nga mbështetëset më të vendosura të Shteteve të Bashkuara. Në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit, Shqipëria vlerësohet si një nga aleatët më të mirë. Megjithatë ka një përpjekje për të sjellë elemente të huaja për ngritje xhamish e grupesh me qëllim që të përhapet ky lloj interpretimi ekstremist i islamit, por suksesi i tyre ka qenë tepër i kufizuar. Kuptohet se me vetëm pak individë mund të ngrihet një grup terrorist. Është e nevojshme të ushtrohet trysni ndaj këtyre individëve. Dhe Shqipëria ka bërë punë të mirë në mbylljen e disa shoqatave bamirëse me lidhje me grupe terroriste, dhe në përgjithësi, shqiptarët nuk po e pranojnë këtë intepretim të islamit. //rd//

XS
SM
MD
LG