Lidhje

SHBA: Serbia nuk po bashkëpunon me Gjykatën e Hagës


Departamenti amerikan i Shtetit tha dje se qeveria e Serbisë dhe Malit të Zi nuk po bashkëpunon me Gjykatën e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

Në një deklaratë të bërë nga zëdhënësi Sean McCormack, thuhet se Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice nuk mund të konfirmojë se Beogradi po bashkëpunon me Hagën dhe kjo do të çojë në bllokimin e ndihmës prej 7 milion dollarësh për qeverinë qendrore në Serbi të parashikuar për vitin financiar 2006.

Ndihma humanitare për popullin serb dhe ajo për forcimin e demokracisë do të vazhdojë të jepet për ata që punojnë për kapërcimin e së kaluarës dhe që shikojnë drejt së ardhmes, thuhet në deklaratë.

Në qershor 2005, Sekretarja e Shtetit konfirmoi se Serbia dhe Mali i Zi po bashkëpunonin me Gjykatën e Hagës por që nga ajo kohë, thuhet në deklaratë, ka patur pak bashkëpunim të dukshëm me këtë Gjykatë.

Shtetet e Bashkuara, tha zëdhënësi, dëshirojnë të forcojnë marrëdhëniet me Serbinë dhe ta ndihmojnë atë të bëhet një vend plotësisht i suksesshëm, i sigurt dhe demokratik, i integruar në strukturat euro-atlantike. Por, thekson ai, Serbia duhet të plotësojë detyrimet ndërkombëtare.

Departamenti i Shtetit i bën thirrje Beogradit të bashkëpunojë plotësisht me Gjykatën e Hagës, të arrestojë dhe të dorëzojë në këtë gjykatë personat e akuzuar për krime lufte, sidomos ish komandantin ushtarak të serbëve të Bosnjes Ratko Mlladiç.

Në deklaratën e zëdhënësit thuhet gjithashtu se zonja Rice është e gatshme ta rishikojë vendimin e saj nëse Beogradi tregon me veprimet e tij në të ardhmen se po bashkëpunon me Gjykatën e Hagës.//ii

XS
SM
MD
LG