Lidhje

Bush: Shtetet e Bashkuara do të dalin fituese në luftën kundër terrorizmit


Presidenti Bush thotë se Shtetet e Bashkuara do të dalin fituese në luftën kundër terrorizmit ashtu siç dolën fituese në luftën e ftohtë. Presidenti Bush i bëri këto komente gjatë një fjalimi në ceremoninë e diplomimit të oficerëve të rinj në akademinë ushtarake West Point.

Fjalimi i presidentit në hapjen e ceremonisë së diplomimit të studentëve në West Point ishte një leksion historie. Ai tha se pas Luftës së Dytë Botërore Amerika u ndodh përpara kërcënimeve në fushën e sigurisë që u shkaktuan nga shtrirja e komunizmit në shumë vende të Evropës, Azi e gjetkë. Presidenti Bush tha se vitet e para të luftës së ftohtë bënë që e ardhmja e demokracisë në botë të dukej e zymtë.

Presidenti i atëhershëm, Harri Truman, tha presidenti Bush, e kuptoi këtë kërcënim si një luftë ideologjike dhe veproi për t’iu kundërvënë armikut, krijoi aleanca dhe përhapi lirinë, duke hedhur kështu bazat për fitoren e luftës së Ftohtë. Sot, tha presidenti Bush, Shtetet e Bashkuara po ndjekin të njëtën strategji për t’iu kundërvënë terrorizmit. “ Kur presidenti Truman foli këtu me rastin e 150 vjetorit të Akademisë West Point, ai u tha studentëve që u diplomuan në vitin 1952, se nuk mund të kesh paqe të qëndrueshme në botë nëse nuk punon me këmbëmbëngulje për të krijuar kushtet për liri e drejtësi. Nga të njëjtat parime udhëhiqen sot Shtetet e Bashkuara në luftën kundër terrorizmit. Strategjia jonë për të mbrojtur Amerikën bazohet në një parim të qartë: sigurimi i vendit varet nga përparimi i lirisë për vendet e tjera.”

Presidenti Bush tha se në luftën kundër terrorizmit, objektivat e rëndësishme janë arritur dhe tani po japin frytet e veta. “Ashtu si brezi i mëparshëm i amerikanëve ndihmoi për të ndryshuar Gjermaninë e Japoninë nga vende pushtuese armike në vende demokratike aleate, edhe sot brezi i ri i amerikanëve po ndihmon Irakun dhe Afganistanin për të dalë nga shkatërrimet e tiranisë. Në Afganistan, kampet për stërvitjen e terroristëve janë mbyllur dhe afganët zgjodhën me votime të lira presidentin dhe parlamentin e ri. Në Irak, javën e kaluar irakianët për herë të parë në histori përuruan qeverinë e re të zgjedhur vetë. Me krijimin e kësaj qeverie të bashkimit kombëtar, bota pa diçka të re; fillimin e një demokracie kushtetuese në qendër të Lindjes së Mesme.” Pas fjalimit të tij, presidenti Bush u dorëzoi diplomat oficerëve të rinj, shumë prej të cilëve pritet të dërgohen në Irak e Afganistan. //rd//

XS
SM
MD
LG