Punonjësit e shpëtimit në ishullin Java të Indonezisë po kërkojnë për të mbijetuar, pas tërmetit të fuqishëm që goditi dje vendin, ndërsa zyrtarët bënë të njohur se numri i viktimave e ka kaluar shifrën e 4 mijë e 300 vetëve.
Në disa pjesë të provincës më të goditur, Jogiakarta, punonjësit e shpëtimit thonë se tërmeti me fuqinë 6,3 ballësh rrafshoi qytete të tëra.
Qindra pasgoditje po vazhdojnë të trondisin rajonin me popullsi të dendur. Sipas njoftimeve, shumica e viktimave janë nga qyteti Bantul, në jug të qytetit të Jogiakartës. Banorët thonë se familjet po varrosin pa humbur kohë të afërmit e tyre në varret e fshatrave, sipas traditës islamike, feja mbizotëruese në atë rajon.
Punonjësit mjekësisë thonë se po përpiqen me të gjitha mundësitë për mjekimin e mijëra të plagosurve dhe rreth 200 mijë personave të mbetur pa shtëpi.
Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë ofruar të dërgojnë ndihma në para.
Zyrtarët indonezianë thonë se infrastruktura e dëmtuar nga tërmeti po e vështirëson së tepërmi dërgimin e ndihmave.//ii