Ish komandanti i NATO-s, gjenerali Uesley Klark, tha sot në Prishtinë se Kosova shumë shpejt do të bëhet e pavarur dhe një vend ku do të respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj.
Ai i bëri këto komente gjatë takimeve që zhvilloi me udhëheqësit më të lartë në kuadër të vizitës së tij treditëshe në Kosovë. Zoti Klark tha se udhëheqja politike e Kosovës ka pikëpamje shumë pozitive për zgjidhjen e statusit të vendit.
“Kam besim se kjo çështje mund të zgjidhet dhe shpejt, për disa muaj; ndoshta në pak muaj Kosova do të bëhet e pavarur dhe do të respektojë të drejtat e secilit prej qytetarëve të saj, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Mendoj se ky është një komb i së ardhmes plot premtime. Mendoj se do të jetë i mirëpritur në komunitetin e kombeve dhe do të ketë shumë mundësi për qytetarët e këtij vendi për t'u zhvilluar, për të rritur familje të fuqishme, për të jetuar ëndrrat e tyre”, - tha zoti Clark pas takimit me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu dhe grupin e negociuesve të Kosovës…
Ai u përcolli porosi të ngjashme edhe deputetëve të Parlamentit të Kosovës në një fjalim, në të cilin bëri thirrje për më shumë punë në përmbushjen e standardeve, të cilat tha ai, e bëjnë Kosovën një vend të qëndrueshëm, të sigurt, demokratik dhe përparimtar. Ai tha se përkundër tragjedisë që ka pësuar populli i Kosovës, tash ka ardhur koha që të shikohet e ardhmja e vendit dhe e kaluara.
Presidenti Sejdiu vlerësoi lart punën dhe mbështetjen e gjeneralit Klark për popullin e Kosovës, duke e quajtur atë mbrojtës të njerëzimit dhe të Kosovës. Në orët e mbrëmjes dje, zotit Klark iu dha çmimi “Hasan Prishtina”, nga Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, për ndihmën e dhënë në kthimin e qindra mijëra refugjatëve në Kosovë.
Zoti Klark gjatë luftës në Kosovë udhëhoqi fushatën e bombardimeve kundër objektivave serbe dhe kjo e ka shndërruar atë në njërin nga personalitetet më të vlerësuara në Kosovë.