Lidhje

Protestat e imigrantëve mbajnë ndezur debatin mbi reforma në ligjin e imigracionit


Sot në Washington zhvillohen protesta me pjesëmarrjen e qindra aktivitësve pro-imigrantëve nga mbarë Shtetet e Bashkuara. Një koalicion i organizatave që mbështesin imigrantët, i vetëquajtur “Ne jemi Aleanca e Amerikës”, ka në plan të zhvillojë veprimtari lobiste me ligjvënësit që ata ta mbështesin ligjin që do t’u mundësonte rrugën drejt dhënies së qytetarisë amerikane miliona punonjësve të huaj pa dokumente.

Protestat zhvillohen një ditë pasi senati amerikan filloi zyrtarisht debatin mbi reformat e imigracionit. Dje Senati amerikan hodhi poshtë një propozim për të siguruar kufijt e vendit, para trajtimit të çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me imigracionin, siç është për shembull sigurimi i qytetarisë amerikane për punëtorët pa dokumente.

Dje Senati zhvilloi votimin paraprak lidhur me ligjet e imigracionit. Duket se do të ketë një debat afatgjatë lidhur me çështjen se si duhen trajtuar imigrantët e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara.

Ligjvënësit votuan kundër një propozimi të Senatorit Republikan Johnny Isakson, i cili kërkoi që siguria në kufi të vendoset para fillimit të një programi për t’u ardhur në ndihmë punëtorëve pa dokumente që ta ndryshojnë statusin e tyre.

Senati gjithashtu mbështeti një propozim, sipas të cilit ndryshimet në politikën e imigracionit mund të ndërmerren, në se Presidenti deklaron se ato janë në interes të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Votimi i djeshëm i siguroi Presidentit Bush një fitore të parë, pikërisht një ditë pasi ai ju drejtua vendit me një fjalim mbi trajtimin gjithëpërfshirës të çështjes së imigracionit.

Në një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin australian John Howard, zoti Bush i bëri përsëri thirrje Kongresit që të shtojë masat e sigurisë në kufi, ndërkohë që paraqet një program të përkohshëm pune për imigrantët: “Objektivi është, që në njërën anë të mbrohen kufijtë tanë dhe në anën tjetër, asnjëherë të mos harrohet ajo që e bën Amerikën unike. Ne jemi vend i imigrantëve dhe në të njëjtën kohë nuk do të ndjekim politika diskriminuese”, tha presidenti.

Zoti Bush tha se plani i tij për dërgimin e 6 mijë trupave të Gardës Kombëtare në shtetet amerikane përgjatë kufirit me Meksikën, të mos shihet si përpjekje për militarizimin e kufirit. Por ndaj propozimit të Presidentit Bush ka patur reagime të ndryshme dhe shpesheherë emocionale.

Senatori Demokrat nga Massachussets, Edward Kennedy, tha se sasia e parave të shpenzuara për shtimin e patrullimeve në kufi gjatë dy dekadave të fundit, ka çuar në realitet vetëm në shtimin e numrit të imigrantëve: “Njëzet vjet më parë, ne kishim 40 mijë imigrantë të paligjshëm, 10 vjet më parë, kjo shifër arriti në 400 mijë. Gjatë 10 vjetëve të fundit ne kemi shpenzuar 20 miliardë dollarë për këtë problem. E shtuam numrin e rojeve në kufi me 300 për qind. Dhe ja rezultati: sot numri i imigrantëve të paligjshëm është 800 mijë vetë,” tha Senatori.

Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar një ligj për imigracionin, sipas të cilit qëndrimi i paligjshëm në Shtetet e Bashkuara do të ishte krim. Ligji i Senatit pritet t’u krijojë më tepër lehtësira imigrantëve dhe të dy dhomat do të duhet të bëjnë një kompromis për këtë çështje. //rd//

XS
SM
MD
LG