Qindra investitorë të zemëruar spanjollë janë mbledhur para zyrave të dy firmave investuese ndaj të cilave po bëhen hetime. Protesta e sotme në Madrit pason arrestimet e fundit të zyrtarëve të firmave Forum Fitalelico dhe Afinsa, dy kompani që u kishin premtuar investitorëve përqindje më të larta se të bankave.
Firmat thonë se i kishin investuar paratë e klientëve në pulla postare dhe monedha koleksioni dhe se shtimi i vlerës së këtyre mallrave garantonte interesa të larta. Por policia dyshon se firmat ishin skema piramidale, ku interesat nuk siguroheshin nga investimet, por nga tërheqja e klientëve të rinj. Në bazë të kësaj metode, kur kompanitë nuk tërheqin dot më investitorë të rinj, ato falimentojnë.
Qindra mijëra investitorë janë të shqetësuar se kanë humbur tashmë kursimet e tyre. Organizatat në mbrojtje të konsumatorëve thonë se rreth 350 mijë banorë kishin investuar miliona dollarë në dy firmat në fjalë.
Një skemë e ngjashme shkaktoi trazira të mëdha në Shqipëri para 10 vjetësh. Disa firma piramidale mashtruan rreth dy-të-tretat e popullsisë. Falimentimi i tyre u bë shkas për përleshje që sollën qindra të vdekur dhe rrëzimin e qeverisë. //ad//