Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike deklaroi se Irani nuk e ka respektuar afatin e vënë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së për të pezulluar pasurimin e uraniumit.
Deklarata përfshihet në një raport të Agjencisë që iu paraqit sot Këshillit të Sigurimit. Në të bëhet thirrje për masa transparence shtesë për sa i përket programit bërthamor të Iranit në mënyrë që të vërtetohen përmasat dhe natyra e programit iranian të pasurimit të uraniumit. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike tha se boshllëqet në pranimin e programit bërthamor vazhdojnë të përbëjnë shqetësim.
Në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Bush tha se raporti është një deklaratë e rëndësishme dhe se bota është e bashkuar dhe e shqetësuar lidhur me veprimtaritë e Iranit. Në Kombet e Bashkuara, ambasadori amerikan, John Bolton tha se veprimtaritë e Iranit përbëjnë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ai tha përsëri se Shtetet e Bashkuara po përpiqen për një rezolutë me fuqi ligjore, ku të kërkohet që Irani të pezullojë pasurimin e uraniumit.
Rezoluta e ashtuquajtur e Kapitullit 7, do të hapte rrugën për masa të mundëshme ndëshkuese ndaj Iranit dhe do ta linte derën hapur për veprime të mundëshme ushtarake në të ardhmen. Anëtarët e Përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Rusia dhe Kina janë shprehur kundër sanksioneve.
Megjithë trysninë ndërkombëtare, Irani ngul këmbë se nuk do të heqë dorë nga programi i tij bërthamor, për të cilin Teherani thotë se ka synime paqësore. Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Iranin se përpiqet të prodhojë armë bërthamore.//rd//