Një republikan me peshë në Senatin amerikan thotë se administrata e Presidentit Bush duhet të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Iranin në lidhje me ambiciet bërthamore të Teheranit:
Senatori Ruchard Lugar, Kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, thotë se bisedimet e drejtpërdrejta me Iranin mund të sjellin dobi. Në një emision të televizionit ABC, senatori republikan nga shteti i Indianës theksoi gjithashtu nevojën për bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë dhe Kinën për të gjetur rrugën më të mirë për të ushtruar trysni ndaj Iranit.
Që të dy këto vende janë anëtare të përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të drejtë vetoje dhe e kanë bërë të qartë se janë kundër vendosjes së sanksioneve ndaj Iranit.
Senatori tha se rruga më e mirë mund të ishte intensifikimi i përpjekjeve diplomatike dhe lënia mënjanë tani për tani e çështjes së sanksioneve.
“Tani për tani Shtetet e Bashkuara duhet ta lënë mënjanë këtë çështje. Retorika ka qenë tepër e nxehtë dhe e ashpër nga ana e presidentit të Iranit që ka dalë vazhdimisht në televizion. Diplomatët nuk po bëjnë shumë përparim pra na duhet të bëjmë më shumë hapa përpara në këtë drejtim”, tha senatori.
Administrata e Presidentit Bush prej një kohe të gjatë ka mbrojtur qendrimin se rruga më e mirë për zgjidhjen e çështjes bërthamore të Iranit është përmes përfshirjes së disa palëve. Kjo administratë ka përkrahur negociatat e drejtuara nga tre vende evropiane – Britania, Franca dhe Gjermania - dhe ka kërkuar veprime nga ana e Agjencisë Ndërkombëtare pë Energjinë Bërthamore dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Një përkrahës energjik në kongres i strategjisë së presidentit Bush është senatori Mic Mekonell. Qendrimi i republikanit nga shteti Kentucky është i ndryshëm nga ai i Senatorit Lugar lidhur me këtë çështje. Ai komentoi sot në një emision të televizionit Fox.
“Kur Presidenti urdhëroi ndërhyrjen në Irak, kritikuesit e akuzuan se po vepronte i vetëm. Tani që po ndjek rrugën e përfshirjes edhe të aktorëve të tjerë lidhur me Iranin, ata thonë se duhet të angazhohet i vetëm. Askush nuk mendon seriozisht se ekziston një zgjidhje e krizës bërthamore iraniane përmes përfshirjes së shumë palëve”, - thote ai.
Por qendrimi i Senatorit Lugar u përkrah fuqishëm nga një demokrat me peshë në senat, Kristofer Dod, nga shteti Konektikat, i cili gjithashtui komentoi për televizionin Foks.
“Iranianët do të ishin mjaft të interesuar në përfshirjen e drejtpërdrjetë të Shteteve të Bashkuara, bashkë me vendet evropiane ose jo. Puna është se nuk kemi thuajse fare kontakt me Teheranin. Irani po kërkon që Shtetet e Bashkuara të ulen në tryezë me të e të dikutojë në lidhje me Irakun, pasi janë të shqetësuar për këtë çështje. Kjo do të ishte një pikë nga mund të fillohet”, tha senatori Dod.
Ndërkohë, dy ish-anëtarë të Këshillit të Sigurimit të Shtëpisë së Bardhë shprehën mendimin e tyre mbi përdorimin e forcës ushtarake kundër Iranit. Një një artikull të botuar në gazetën New York Times, Richar Clarke dhe Steve Simon, paralajmërojnë se një veprim i tillë mund të dëmtonte interesat amerikane më tepër se sa lufta në Irak.
Presidenti Bush është shprehur për zgjidhjen e kësaj çështjeje në rrugë diplomatike, edhe pse rruga e forcës ushtarake përbën gjithmonë një alternativë. Duke folur para një grupi studiuesish të politikës së jashtme para pak ditësh, ai tha se në rastin e Iranit, diplomacia shumëpalëshe mbetet rruga më e mirë, duke minimizuar njoftimet e shtypit që pretendojnë se po zhvillohen plane për ndërhyrje të mundshme ushtarake. Irani thotë se programi i tij bërthamor është krejtësisht i natyrës civile dhe se synon prodhimin e energjisë elektrike. Por Shtetet e Bashkuara dhe vendet aleate argumentojnë se ky program është një maskim për zhvillimin e armëve bërthamore.//lk