Ushtria amerikane thotë se trupat amerikane dhe irakiane kanë vrarë një terrorist të kërkuar që kishte lidhje me Osama bin Ladenin dhe figura të tjera të larta të al-Kaidës.
Në një deklaratë amerikane thuhet se Rafid Ibrahim Fatahu u vra nga fundi i muajit të kaluar, gjatë një sulmi pranë Abu Graibit në pjesën perëndimore të Bagdadit.
Në deklaratë thuhet se ai drejtonte një celulë kryengritësish në Bakuba dhe e identifikon atë si anëtar të vjetër të al-Kaidës, i cili ka qarkulluar nëpër Afganistan, Pakistan, Iran dhe Irak dhe në një rast ka shërbyer si shef sigurimi për një kamp stërvitor terrorist në Afganistan.
Ndërkohë, policia irakiane thotë se shpërthimi i një makine bombë shkaktoi vrasjen e 13 personave në Bagdat dhe plagosjen e disa të tjerëve. Shpërthimi ndodhi në një lagje kryesisht shiite të Bagdadit.