Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Muhamed ElBaradei, i bëri thirrje Iranit të pezullojë pasurimin e uraniumit, por Teherani u zotua se do ta vazhdojë procesin.
Një zëdhënëse e agjencisë tha se zoti El Baradei e bëri këtë thirrje dje në Teheran, gjatë bisedimeve me kreun e organizatës iraniane të energjisë atomike. Më pas, zoti ElBaradei tha se ende nuk ka konfirmuar se Irani ka pasuruar uranium në nivelin që përdoret në centralet bërthamore për prodhimin e energjisë elektrike.
Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs tha se Shtetet e Bashkuara kanë në plan të shqyrtojnë një numër alternativash në dispozicion të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për trajtimin e çështjes.
Ajo tha se një alternativë është aftësia për të detyruar Iranin të bashkëpunojë në bazë të Nenit Shtatë të Kartës së OKB-së, i cili mund të lejojë vendosjen e sanksioneve.