Lidhje

Përkujtohet 95 vjetori i Kryengritjes së Malësise se Madhe


Shqiptarët e Malit te Zi përkujtuan këto ditë përmes nje manifestimi popullor, 95 vjetorin e Kryengritjes së Malësise se Madhe dhe prijësin popullor, Dedë Gjon Luli. Në vendlindjen e tij, në Bardhaj të Hotit, në Mal të Zi, u përurua rindërtimi dhe kthimi ne muze i shtepise se Dedë Gjon Lulit, financuar nga shqiptarët me banim në Detroit dhe New York.

Në 95 vjetorin e Kryengritjes së Malësisë së Madhe, e cila i parapriu Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët e Malit të Zi peruruan rindërtimin dhe kthimin në Muze të shtëpisë së luftëtarit Dedë Gjon Luli. Në manifestimin popullor, të zhviluar në sheshin përpara shtëpisë së rindërtuar, kryetari i këshillit organizativ, Mark Dushaj, tha se Dedë Gjon Luli ishte simboli i lirisë dhe vetmohimit për kombin shqiptar.

“Nga kjo shtëpi e vogël del burri i madh, që e cilësonte dashuria pa kufi dhe e pakursyer , deri në vetflijim për Shqipëri. Ai donte që të gjitha zemrat shqiptare të rrahin për një qëllim; ringjalljen dhe ringritjen e Shqipërisë.”

Në manifestimin popullor të zhvilluar në Bardhej të Hotit, në Mal të Zi, merrte pjesë edhe një delegacion prej më shumë se 20 shqiptarësh nga Detroiti dhe Neë Yorku i SHBA. Rindërtimi i shtëpisë muze të Heroit Dedë Gjon Luli është realizuar me mbështetjen financiare të shqiptarëve të Amerikës. Sipas Nikollë Junçajt, të ardhur nga Neë Yorku, për këtë vepër kanë ndihmuar të gjithë shqiptarët.

“Kryesisht, ndërtimin e këtij objekti e kanë mbështetur materialisht shqiptarët e Neë Yorkut dhe të Detroitit, megjithse ky aksion pati kaluar edhe në vëllazërinë e Hotit. Megjithatë, ne duam t’i falenderojmë edhe disa pjestarë të komunitetit shqiptar në përgjithësi, të Kosovës, Shqipërisë dhe të viseve të tjera shqiptare, të cilët kanë ardhur dhe kontribuar vullnetarisht për ndërtimin e këtij objekti.”

Ndërsa Shtjefen Gojçaj, i ardhur nga Miçigani, tha se shqiptarët e Amerikës po punojnë për të financuar edhe nisma të tjera që mbështesin vlerësimin e historisë kombëtare të shqiptarëve edhe në Mal të Zi.

“Kam dëshirë, edhe mendoj se ka për t’u përfshirë çështja krejt malësore dhe më gjërë, për ndërtimin e një muzeu, ose të një pllake përkujtimore për të gjithë dëshmorët e këtij vendi, të cilët nuk kanë qenë të pakët në numër, të cilët nuk kanë kursyer gjakun e tyëe për të mbrojtur këto troje dhe për të ruajtur shqiptarinë, kombin dhe traditat kombëtare.”

Duke folur në manifestimin popullor, të zhvilluar nga shqiptarët e Malit te Zi, profesor Romeo Gurakuqi tha se, thuajse një shekull pas kryengritjes që qoi në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Rajoni i Ballkanit tashmë ka hyrë në fazën e proceseve europianizuese.

“Rindërtimi i kullës së Dedë Gjon Lulit, gjegjësisht shtëpisë muze, realizohet në klimën europianizuese të Rajonit, ku jetojnë shqiptarët dhe vetë shteti i tyre amë. Ajo realizohet sot në një Ballkan Përëndimor, krejt ndryshe nga të paktën një dhjetëvjeçar më parë. Një Ballkan që ka filluar të mendojë dhe të veprojë me mendjen e qytetarit europian, që rrëzon barrierat e pakuptimta të ndërprerjes së komunikimit dhe ka hapur dyert e të ardhmes së vëllazëruar demokratike, por që ka shumë punë për të bërë për kapërcimin e të kaluarës joeuropiane dhe fshirjen e fantazmave të së vjetrës.”

Organizatorët e manifestimit të zhvilluar në Mal të Zi në përkujtim të 95 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe vepreë së Heroit shqiptar Dedë Gjon Lulit, theksuan se do të vazhdojnë përpjekjet për të vlerësuar dhe nderuar ngjarjet dhe figurat që lanë gjurmë në historinë kombëtare të shqiptarëve.//ii

XS
SM
MD
LG