Lidhje

Italia në prag të zgjedhjeve të përgjithshme


Më 9 dhe 10 prill në Itali zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme. Kryeministri Silvio Berluskoni ka vendosur tashmë një rekord politik duke drejtuar qeverinë më jetëgjatë në Italinë e pas-Luftës. Por siç shpjegojnë dy analistë italianë në një diskutim të organizuar nga Instituti Brookings në Uashington, duket se fitorja këtë radhë mund t’i buzëqeshë Romano Prodit të qendrës së majtë, si rrjedhojë e rezultateve të dobëta ekonomike të qeverisë Berluskonit:

"Unë parashikoj se koalicioni i qendrës së majtë do të fitojë me një diferencë të ngushtë nën 5 për qind," thotë profesori i shkencave politike në Universitetin e Bolonjës, Gianfranco Pasquino. Kjo fitore, vazhdon ai, do të jetë rezultat i zhgënjimit të votuesve italianë, si rrjedhojë e dështimit të Berluskonit për të përmbushur zotimet e marra në zgjedhjet e mëparshme: "Në një mënyrë shumë spektakolare, para zgjedhjeve të vitit 2001, Berluskoni nënshkroi një kontratë me votuesit italian, në të cilën theksonte se i kishte vënë vetes objektiva në 5 fusha dhe nëse nuk arrinte sukses në të paktën 4 prej këtyre fushave, ai nuk do të konkuronte përsëri."

Realiteti nuk është në favor të Berluskonit, thotë zoti Pasquino. Megjithë disa suksese të kufizuara, Berluskoni nuk ka arritur të përmbushë zotimet. "Në një vështrim të përgjithshëm, ekonomia ka ecuar shumë keq gjatë 5 vjetëve të fundit. Mendoj se ekonomia do të jetë thembra e Akilit për Berluskonin, pasi italianët nuk gëzojnë mirëqënie ekonomike më të madhe tani se para katër vjetësh dhe në përgjithësi, ekonomia italiane është prapa ekonomive të tjera të Bashkimit Evropian."

Përveç dallimeve në propozimet për zhvillim ekonomik, dy grupimet politike, qendra e majtë e Romano Prodit, dhe qendra e djathtë e Berluskonit, paraqesin platforma mjaft të ndryshme edhe përsa i përket politikës së jashtme të Italisë, por këto dallime kanë gjetur pak pasqyrim kohët e fundit:

Analisti i çështjeve ndërkombëtare, Ettore Greco, thekson se preokupimi i votuesve italianë me çështjet ekonomike i ka lënë në harresë çështjet e politikës ndërkombëtare. Por një tjetër arsye e rëndësishme është fakti se të dyja grupimet politike i tremben ndikimit negativ që mund të ketë politika ndërkombëtare në shanset e tyre për fitore: "Të dyja skajet e spektrit politik nuk janë shumë elastike dhe përfshijnë parti radikale, të cilat edhe në politikën e jashtme ndjekin prirje më ekstreme krahasur me rrymën e përgjithshme. Në rastin e koalicionit të qendrës së djathtë, politikat e tij janë larg prirjeve të përgjithshme lidhur me integrimin evropian, ndërsa koalicioni i qendrës së majtë ndjek politika më radikale lidhur memarrëdhëniet transatlantike."

Duket se të dyja koalicionet thotë zoti Greco shqetësohen se një debat mbi politikën e jashtme mund të nxjerrë në pah këto dallime të thella, prandaj edhe i kanë shmangur këto çështje. Duhet theksuar se grupet më radikale të majta e kanë bërë qëndrimin e tyre pacifist, thelbin e programeve të tyre dhe shumë shqetësohen se një qeveri e Prodit do të bjerë pre e këtyre grupeve, duke dëmtuar marrëdhëniet me Uashingtonin.

Ndërkaq, analistët komentojnë se një mandat i ri për koalicionin e qendrës së djathtë të Berluskonit, do të ndikonte negativisht në përpjekjet e Bashkimit Evropian për një integrim më të madh institucional dhe strukturor.

Gjatë administratës së kryeministrit Berluskoni, Italia ishte një përkrahëse e fuqishme e luftës ndërkombëtare kundër terrorizmit. Kjo, theksojnë analistët, mund t'i kushtojë atij politikisht. "Berluskoni ka marrë një rrezik politik, pasi siç tregojnë anketat e opinionit, politikat amerikane nuk gëzojnë popullaritet në Itali. Për këtë arsye, Berluskoni po anon tani nga një qëndrim më i moderuar, duke njoftuar tërheqjen e trupave italiane nga Iraku brenda këtij viti," thotë zoti Etore Greko.

Ndërsa, Prodi, vazhdon analisti, ka vendosur vazhdimisht theksin mbi nevojën për të forcuar autonominë e Evropës dhe për t’u përpjekur për marrëdhënie transatlantike më të barabarta. Ai ka folur hapur në mbështetje të integrimit më të thellë të vendeve anëtare në Bashkimi Evropian.

Megjithë preokupimin e kampeve politike me temat ekonomike në këtë fushatë zgjedhore, politika e jashtme italiane mbetet një preokupim kryesor si në Uashington dhe në Bruksel, për të parë nëse nga këto zgjedhje do të dalë një Itali atlanticiste, e cila të vazhdojë të ruajë lidhjet e forta me Uashingtonin, apo një Itali që do ta shohë politikën e saj të jashtme të lidhur ngushtë me politikat e Brukselit dhe përpjekjet për një Evropë më autonome nga ndikimi amerikan. //ad//

XS
SM
MD
LG