Presidenti Bush dhe udhëheqësit e Meksikës dhe Kanadasë mbyllën dje takimin dy-ditor të nivelit të lartë të Amerikës së Veriut në Kankun të Meksikës, ku mbizotëruan çështjet e sigurisë kufitare dhe imigracioni.
Presidenti Bush u dha fund bisedimeve me homologun e tij meksikan, Vicente Fox, dhe kryeministrin kanadez, Stefen Harper, duke përsëritur thirrjen e tij për programin e punëtorëve të përkohshëm për imigrantët e paligjshëm në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Fox, i cili e mbështet këtë program, thotë se Meksika po punon me zyrtarët e Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare mbi çështjet e sigurisë kufitare.
Ndërkohë, Kryeministri Harper ngriti shqetësimin se duke filluar nga fundi i vitit të ardhshëm, Shtetet e Bashkuara do t’u kërkojnë vizitorëve kanadezë të hyjnë në Amerikë me pasaportë.
Presidenti Bush tha se Kongresi amerikan e kishte miratuar këtë ligj, të cilin ai synon ta zbatojë. Por, ai tha se beson se nëse ligji zbatohet si duhet, atëherë programi nuk do t’i pengojë, por do t’i lehtësojë udhëtimin dhe tregtinë.