Në një spital të shtetit Maine vdiq në moshën 88 vjeçare ish sekretari amerikan i mbrojtjes Kaspar Uajnberger. Zoti Uajnberger vdiq pas një sëmundjeje që zgjati një javë.
Kaspar Uajnberger ishte një njeri i fuqishëm në qeverinë amerikane gjatë dy administratave, por dorëheqja e tij para 18 vjetësh e largoi atë nga jeta publike para ndryshimeve të mëdha që pasuan, duke përfshirë shpërbërjen e Bashkimit Sovietik dhe fillimin e luftës kundër terrorizmit.
Sekretari Uajnberger fuqizoi ushtrinë amerikane nën presidentin Regan, çka ndihmoi për të bindur udhëheqësit sovietikë t’i jepnin fund konfrontimeve prej dekadash me Shtetet e Bashkuara.
Disa u habitën me shpenzimet e mëdha, meqenëse ato bëheshin nga dikush i cili gjatë administratës së presidentit Nikson njihej si njeriu që shkurtonte shpenzimet në pozitat e tij si kreu i Zyrës së Administrimit dhe Buxhetit dhe Sekretar i Shëndetësisë, Arsimit dhe Mirëqënies.
Megjithë fuqizimin e ushtrisë amerikane në kohën e tij, Uajnbergeri ngurronte të përdorte forcën ushtarake amerikane, përveç rastit kur ajo do të nevojitej për ndonjë luftë të me përmasa të mëdha.
Në një fjalim të mbajtur në vitin 1984 ai thoshte se Shtetet e Bashkuara duhet të përdorin forcën vetëm kur vihen në pyetje interesat e saj jetike, madje edhe atëherë si mjeti i fundit. Ai kishte edhe disa kritere të tjera se kur duhej dërguar ushtria amerikane në luftë të cilat u bënë të njohura si “Parimet e Uajnbergerit”.
Sindromi i Vietnamit i bëri amerikanët hezitues për të dërguar trupa në ndonjë konflikt për dekada me radhë pasi Shtetet e Bashkuara nuk arritën t’i mundin komunistët në atë vend.
Vite më vonë, në 2003-shin, zotit Uajnberger dukej se ende i kishte mbetur ai ngurrimi i mëparshëm dhe kjo u duk në një intervistë me televizionin CBS, ndërsa shprehte përkrahjen e tij për ndërhyrjen në Irak, e cila kishte filluar vetëm pak ditë më parë.
“Kushdo që ka qenë në luftë, siç kam qenë unë, e di se kjo nuk do të jetë e lehtë, pavarësisht se ku zhvillohet lufta. Njerëzit që luftojnë, pavarësisht nga numri i tyre, kjo është luftë dhe nuk mund të pritet që të kalojë pa probleme.”
Emri i tij u zbeh deri diku nga skandali i Iran-Kontra, në të cilin zyrtarë të lartë ishin përfshirë në një skemë për t’i shitur në mënyrë të paligjshme armë Iranit për të mbledhur para për financimin e rebelëve në Nikaragua, gjë që Kongresi e kishte hedhur poshtë.
Pavarësisht se nuk ishte i përfshirë drejtpërdrejt në skemë, Uajnbergeri u kishte fshehur mijëra faqe shënime personale prokurorëve dhe hetuesve të Kongresit. Në vitin 1992, pak para se t’i mbaronte mandati, presidenti Bush e fali zotin Uajnberger dhe pesë ish zyrtarë të tjerë të përfshirë në skandal. Gjyqi i zotit Uajnberger ishte caktuar të fillonte vetëm dy javë më pas.
Në atë kohë, në moshën 75 vjeçare, zoti Uajnberger u tërhoq nga jeta publike, pavarësisht se punoi pastaj si publikues i një prej revistave kryesore të biznesit, Forbes, dhe më vonë u bë drejtor i kompanisë Forbes Incorporated.
Të hënën, vetëm pak orë pasi vdiq, sekretari i mbrojtjes Donald Rumsfeld i bëri nderimet e tij në një konferencë shtypi.
“Kaspar Uajnbergeri ishte miku im. Karriera e tij e gjerë në shërbimin publik, përkrahja ndaj trupave në uniformë, dhe roli i tij qendror në ndihmën që dha për të fituar Luftën e Ftohtë lënë një trashëgimi që do të jetojë.”
Kaspar Uajnberger la pas gruan e tij Jane me të cilën ishte i martuar prej 63 vjetësh dhe që ishte pranë tij kur vdiq.//ii