Lidhje

Kundërshtohen planet për vendosjen e shtatores së Nënë Terezës në Shkodër


Myftinia e Shkodrës u shpreh sot përmes një deklarate për shtyp se është kundër vendosjes së shtatores së Nënë Terezës në hyrje të qytetit të Shkodrës. Në deklaratën e saj të lexuar nga Myftiu i këtij qyteti, Bashkim Bajraktari, thuhet se vendosja e kësaj shtatoreje, cënon tolerancën fetare në Shkodër.

Myftinia e qytetit të Shkodrës kërkon që shtatorja e kësaj bamirëseje me origjinë shqiptare, fituese e çmimit Nobel, nuk duhet të vendoset në pronat publike apo në hyrje të qytetit, siç parashikon një plan i miratuar nga Ministria shqiptare e Turizmit dhe e Kulturës.

Ne deklaratën e saj, Myftinia e Shkodrës shprehet se është e padrejtë që figura e Nënë Terezës të vlerësohet në mënyrë të njëanëshme dhe të harrohet me dashje apo jo misioni i saj fetar, për të cilën shkriu jetën. Deklarata e Myftinisë së qytetit të Shkodrës vjen vetëm një jave pas asaj të tre shoqatave myslimane të këtij qyteti, thuajse të panjohura me parë, të cilat u shprehen kundër ngritjes së shtatores së Nënë Terezës në hyrje të qytetit të Shkodrës, duke e cilësuar Nënë Terezën si një misionare të besimit katolik.

Kjo deklaratë ngjalli reagime të menjëhershme nga intelektualë të qytetit të Shkodrës, të cilët e kundërshtuan atë. Ndërsa, vetëm një ditë me pas, Kryetari i komunitetit mysliman Shqiptar, Selim Muça, vlerësoi publikisht figurën e bamirëses së njohur me origjinë shqiptare, duke theksuar njëherazi se komuniteti musliman mbështet nismën për vendosjen e monumentit të saj në qytetin e Shkodreës.

Nisma për ngritjen e një shtatoreje të re për Nënë Terezën dhe vendosjen e saj në qytetin e Shkodrës, është marrë vetëm pak muaj më parë nga Ministria shqipate e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Sipas kësaj ministrie, shtatorja prej bronxi e Nënë Terezës është parashikuar të vendoset në qytetin e Shkodrës në muajin maj të këtij viti, ndërkohë që për vendin ku do të vendoset, pritet që të marrë një vendim Këshilli Bashkiak i qytetit.

Muajt e fundit, Myftinia e Shkodrës ka shprehur disa herë shqetësimin e saj në lidhje me atë që ajo e quan përpjekje për të prishur tolerancën mes besimeve të ndryshme fetare në qytetin e Shkodrës. Kjo Myftini Kundërshtoi pak muaj më parë restaurimin e një objekti, Monument Kulture, që gjendet në Kalanë Rozafat të qytetit, duke e argumentuar atë me shqetësimin e saj se, në projektin e restaurimit, thuhej se do të restaurohej Kisha e Shën Shtjefnit, objekt ky i cilësuar nga Myftinia si xhami.

Gjithjashtu, në fillim të këtij viti, Myftinia e Shkodrës kundërshtoi edhe vendosjen e një kryqi te madh prej hekuri në një kodër të fshatit Bushat, vetëm 15 kilometër në hyrje të qytetit të Shkodrës. Vetëm pak ditë pas kësaj deklarate, kryqi u pre me sharrë hekuri nga persona ende të paidentifikuar, duke provokuar reagime të besimtarëve të të gjitha besimeve fetare në Shkodër. //ad//

XS
SM
MD
LG