Lidhje

Mediu: Integrimi në NATO varet nga vullneti dhe këmbëngulja e Shqipërisë


Shqipëria shpreson që në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në nëntor të vlerësohet përparimi i bërë dhe vendi të hedhë një hap më tej drejt synimit të anëtarësimit në aleancë. Anëtarësimi në Nato, ishte edhe një prej temave të takimit të djeshëm, në Pentagon midis Ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Fatmir Mediu dhe Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Donald Rumsfeld.

Ministri Shqiptar i Mbrojtjes u prit në një ceremoni të veçantë në Pentagon nga Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld. Dy zyrtarët e lartë diskutuan për reformat në fushën e mbrojtjes dhe integrimin në NATO.

Zoti Rumsfeld vlerësoi kontributin e Shqipërisë në koalicionet ndërkombëtare në Irak dhe Afganistan dhe theksoi se aleanca e Natos i ka dyert e hapura. Sekretari amerikan i Mbrojtes i bëri thirrje Shqipërisë të vazhdojë reformat drejt përmbushjes së standarteve për t’u anëtarësuar në aleancë.

Pas Pentagonit, Ministri i Mbrojtes Fatmir Mediu, shkoi për vizitë në varrezat kombëtare të Arligtonit ku vendosi një kurorë me lule tek varri i ushtarit të panjohur.

Ministri Mediu theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara si në planin politik ashtu edhe në atë ushtarak dhe theksoi vendosmërinë e qeverisë për të realizuar standardet e nevojshme.

“Mendoj që në samitin e Rigës, Shtetet e Bashkuara do të vlerësojnë këtë progres, ashtu siç do të deklarojnë në mënyrë të qartë edhe politikën e dyerve të hapura për samitin tjetër të zgjerimit të NATO-s, ku mendoj se Shqipëria duhet të përfitojë këtë shans të jashtëzakonshëm që i ofrohet. Por varet shumë nga vullneti dhe këmbëngulja jonë. Pavarësisht nga asistenca e Amerikës apo e vendeve të tjera, mendoj që ne duhet të tregojmë një qëndrim të qartë dhe implementim të të gjitha kërkesave”.

Ministri Mediu theksoi se megjithëse reforma në forcat e armatosura është e qenësishme, procesi i integrimit të NATO-s përfshin gjithë institucionet qeveritare dhe të gjitha reformat e nevojshme dhe kërkon një kuptim më të gjerë nga të dyja krahët e politikës, dhe njëkohësisht qytetarët shqiptarë.

"Dhe mendoj që ky shans që i është ofruar Shqipërisë është një shans për gjithë shqiptarët dhe për asnjë drejtues politik, apo forcë politike dhe si i tillë duhet të kuptohet”.

Ndërsa klima politike në Shqipëri vazhdon të jetë e acaruar, Ministri republikan Mediu thotë së një gjë e tillë nuk do të sillte pengesa për procesin e integrimit, duke e quajtur një përpjekje për krizë artificiale pa ndonjë efekt tek qytetarët shqiptarë.

“Por duke qenë se Shqipëria është një vend i vogël percepsioni sigurisht që ka një rëndësi shumë të madhe dhe mendoj që në këtë kuadër të gjitha palët duhet të gjejnë përgjegjshmërinë maksimale por sidomos ata që mendojnë se mund të veprohet jashtë rregullit dhe jashtë ligjit”.

Duke iu referuar përplasjeve mes shumicës, pjesë e së cilës është partia e tij dhe opozitës, zoti Mediu tha se nëse ka nevojë për ndryshime secili ka të drejtë në kuptim individual si deputet, apo si grup politik, apo si parti të marrë gjithë iniciativat e nevojshme. Ai shtoi se konsensusi nuk mund të arrihet me imponim.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë pati dje takime edhe në Departamentin e Shtetit dhe Shtëpinë e Bardhë. Pas takimit të grupit të punës dypalësh Amerikë-Shqipëri, zoti Mediu do të takohet edhe me ligjvënës amerikanë.

XS
SM
MD
LG