Lidhje

Bugajski: Askush nuk duhet të presë që shqiptarët dhe serbët të bien dakord për statusin


Një analist i njohur i çështjeve të Ballkanit, tha se bisedimet e tanishme për statusin në fakt janë bisedime për struktutën e Kosovës pas përcaktimit të statusit të saj. Janusz Bugajski, Drejtor i Projektit për Demokracitë e reja evropiane në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se askush nuk duhet të presë që Prishtina dhe Beogradi të bien dakord për statusin. Në një intervistë me Zërin e Amerikës analisti Bugajski, thotë se nuk do të ishte në interesin e serbëve që të kundërshtojnë emërimin e gjeneralit Agim Çeku për postin e kryeministrit.

Për zotin Bugajski, është e qartë që serbët dhe shqiptarët nuk do të bien kurrë dakord për statusin përfundimtar të Kosovës. Ai thotë se bisedimet mes dy palëve nuk janë për statusin.

“Akulli dhe zjarri nuk mund të qëndrojnë bashkë. Nuk mund të kombinosh pavarësinë dhe mungesën e saj. Nuk ka pika të përbashkëta mes të dyja palëve. Bisedimet kanë të bëjnë me faktin se cila do të jetë forma dhe struktura e Kosovës, pasi të merret vendimi nga komuniteti ndërkombëtar për statusin përfundimtar, përsa i takon administratës, decentralizimit, të drejtave të pakicave, aktivitetit ekonomik, marrëdhënieve ndërkombëtare”.

Zoti Bugajski thotë se asnjë njeri i arsyeshëm nuk do të kishte ndonjë iluzion që për 6 deri në 9 muaj këto qëndrime krejt të kundërta do të vijnë në një pikë të përbashkët. Përsa u takon negociatave, zoti Bugajski nuk mendon se ekipi shqiptar do të ishte në një pozitë inferiore ndaj negociatorëve më me përvojë ndërkombëtarë dhe serbë.

“Ndërmjetësit ndërkombëtarë nuk po negociojnë me palën shqiptare. Komuniteti ndërkombëtar ka një program, ka objektiva dhe ka si synim realizimin e tyre. Kështuqë cilado nga palët që përpiqet të bllokojë arritjen e një marrëveshjeje do të ishte pala në pozitën më të dobët”.

Duke folur për ndryshimet në qeverisjen e Kosovës, analisti i Qendrës Ndërkombëtare për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare thotë se ato nuk do të kishin ndonjë ndikim të madh tek negociatat. Megjithatë duke pasur parasysh karrierën si ushtarak të kandidatit për kryeministër, gjeneral Agim Çeku, energjinë dhe disiplinën e tij, zoti Bugajski parashikon që të ketë më shumë veprim dhe ritëm për plotësimin e detyrimeve të Prishtinës për standardet, të drejtat e pakicave dhe procesin e statusit.

“Ajo që mund të ndodhë është që pala serbe ta përdorë këtë si justifikim për të bllokuar apo penguar disa nga bisedimet, duke thënë se kryeministri i ri ka lidhje me krime lufte për shkak të rolit të tij në UÇK. Por një qëndrim i tillë nuk do të ishte i mprehtë politikisht, pasi duket se komuniteti ndërkombëtar e ka dhënë miratimin për kryeministrin e ri”.

Zoti Bugajski ishte ditët e fundit në Kosovë për të prezantuar libërin e tij të ri në shqip, një përmbledhje e shkrimeve, komenteve dhe dëshmive të tij në Kongres për Kosovën gjatë 15 vjetëve të fundit. Libri titullohet “Ngritja e Kosovës, artikuj dhe fjalime nga okupimi tek pavarësia”.

XS
SM
MD
LG