Ndërsa industria e naftës është vazhdimisht në rrezik nga sulmet terroriste dhe probleme të tjera, vihet re një intensifikim i përpjekjeve për burime alternative energjie si karburant për automjetet. Presidenti Bush ka përmendur së fundmi nevojën për përdorimin e etanolit dhe hidrogjenit.
Në një kohë kur 60 për qind e naftës së papërpunuar që përdoret nga rafineritë amerikane vjen nga jashtë vendit, Presidenti Bush thotë se burimet alternative të enegjisë për të zëvendësuar ato tradicionale janë një çështje sigurie ekonomike dhe kombëtare.
Për t’i dhënë shtysë nismës së tij për energji, Presidenti Bush vizitoi një fabrikë që prodhon bateri për makina elektrike, si edhe Laboratorin Kombëtar për riciklimin e energjisë në Kolorado, që mbahet me fonde federale e merret me burime alternative energjie si hidrogjeni si karburant për automjetet e së ardhmes. “Nëse mund të ndryshojmë mënyrën sesi funksiojnë makinat dhe kamionët tanë, do të ndryshojë edhe varësia tek nafta. Menjëherë i gjithë ekuacioni për prodhimin e energjisë do të ndryshojë në mënyrë dramatike”.
Plani i Presidentit Bush për të pakësuar varësinë tek nafta e huaj përfshin rritjen e investimeve në prodhimin e karburanteve alternative si etanoli që nxirret nga misri dhe në teknologji baterish për të vënë në punë automjete hibride që përdorin si karburant, ashtu edhe energji elekktrike.
Por Philip Clapp, President i Trustit Kombëtar të Mjedisit në Washington thotë se plani i Presidentit Bush nuk ka ndonjë peshë të madhe dhe është i vonuar. Ai thotë se që kur embargoja e naftës arabe pothuajse paralizoi rrjetin amerikan të transportit në vitin 1973, administratat duke filluar nga ajo e Presidentit Nikson kanë bërë premtime jorealiste për të pakësuar varësinë e vendit tek burime të huaja nafte. “Presidenti Nikson, në përgjigje të krizës së parë të naftës filloi Projektin Pavarësia, për të cilin ai tha se deri në vitin 1980 do ta eliminonte varësinë e Shteteve të Bashkuara tek importi i naftës. 30 vjet pas deklaratës së Niksonit, nëse përpjekjet tona do të kishin qenë të vazhdueshme, do të kishim arritur që ta ulnim importin e naftës deri në 30-40 për qind dhe të prodhonim pjesën më të madhe të energjisë këtu” thotë zoti Clapp.
John Felmy, ekonomisti i lartë i Institutit Amerikan të Naftës e çon edhe më tej argumentin e zotit Clapp. “Arsyeja që nuk arritëm një përmirësim në drejtim të pavarësisë në fushën e energjisë ishin politikat e këqia për energjinë. Vepruam gabim. Vendosëm taksa të favorshme dhe ndërmorëm politika të tjera të gabuara që sollën si rezultat këtë varësi që kemi sot”.
Sido që të jetë, ambjentalistët dhe industria e energjisë janë të një mendjeje se do të duhen dekada për ta përshtatur infrastrukturën e vendit në mënyrë të tillë që të mund të përballojë burime alternative energjie për automjetet.
Por transformimi i burimeve ushqimore si misri apo sheqeri në rastin e Brazilit në karburant për automjetet mund të krijojë një problem edhe më serioz. Philip Clapp thotë se do të duhet të merret një vendim. “Do të shtrohet çështja sesi do të ndahen burimet për prodhim makinash, për prodhim karburanti dhe sa për industrinë ushqimore”, thotë zoti Clapp.
Ekspertët thonë se rrugët që do të ndiqen në botë për të përballuar kërkesat në rritje për energji, do të jenë një nga çështjet më të rëndësishme të shekullit të 21-të. //rd//