Një ish-diplomat amerikan dhe drejtor i grupit të punës për OKB-në në Institutin e Paqes thotë se ndryshimet e fundit politike në Kosovë nuk do të ndikojnë negativisht mbi negociatat për statusin përfundimtar. Ambasador Geri Methjus, ish-zëvendës shef i UNMIK-ut në Kosovë e vlerësoi gjeneral Agim Çekun si një udhëheqës të fortë dhe energjik. Në një intervistë për "Ditarin", ai tha gjithashtu se pavarësisht nga qëndrimet e kundërta që Prishtina dhe Beogradi mbajnë publikisht, shumë çështje që kanë të bëjnë me statusin janë sheshuar dhe mbeten për t’u marrë vetëm disa vendime të rëndësishme.
Zëri i Amerikës: Zoti Methjus, zoti Kosumi dha dorëheqjen pas kritikave brenda Kossovës dhe nga komuniteti ndërkombëtar, nga perëndimi. Çfarë mendoni ju se do të ndryshojë me një qeveri të re që do të drejtohet nga gjeneral Çeku?
Geri Methjus: Ndryshimet politike janë normale në shtetet demokratike. Me vdekjen e presidentit Rugova, megjithëse mungesa e tij ndjehet, është shumë pozitive që zoti Sejdiu e pasoi atë. Pra, unë do ta shihja ndërrimin e kryeministrave pikërisht në këtë kontekst, si pjesë e vazhdimit të ndryshimit. Unë jam takuar disa herë me zotin Çeku kur punoja në Kosovë dhe mund të them se ai është shumë i përgatitur, me shumë përvojë dhe shumë dinamik. Sa për aftësinë udhëheqëse, parashikoj që ai do të jetë një udhëheqës i fortë.
Zëri i Amerikës: Cili mendoni se do të jetë efekti i këtyre ndryshimeve në skenën politike të Kosovës, kryesisht qeverisë për negociatat për statusin përfundimtar?
Geri Methjus: Unë parashikoj një tranzicion shumë të butë, sepse gjeneral Çeku është i njohur nga të gjithë, jo vetëm nga përfaqësuesi i posaçëm Soren Jessen-Petersen, por edhe në Bruksel dhe Uashington. Mendoj se këto ndryshime përshtaten shumë mirë me përpjekjet e të dërguarit të posaçëm Ahtisaari, me bisedimet për statusin dhe me deklaratat që ato të zhvillohen me shpejtësi dhe të arrihet në një përfundim brenda disa muajsh. Nuk mund të spekulloj për motivet e këtij ndryshimi, por çdo lloj ndryshimi sjell një dinamikë të re. Për aq sa i njoh Presidentin Sejdiu dhe gjeneralin Çeku, mund të parashikohet që ata do të veprojnë në mënyrë shumë energjike dhe i gjithë procesi i negociatave të statusit do të ecë përpara me shumë efektivitet.
Zëri i Amerikës: Çështja më e mprehtë edhe lidhur me statusin e Kosovës është ajo e pakicave dhe sa garanci mund të japë qeveria e Kosovës për jetesën e tyre normale dhe për kthimin e të zhvendosurve. Kritika të forta pati edhe në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së pikërisht për këtë çështje. A mendoni se ekziston një zgjidhje, një formulë përveç ndarjes përmes së cilës qeveria e Kosovës të japë garanci për pakicat?
Geri Methjus: Jam i bindur që ata do të gjejnë një zgjidhje të kënaqshme përsa i takon çështjes së barazisë, trajtimit të pakicave. Ka kohë që flitet për këtë çështje. Me rolin e konsiderueshëm që po luajnë Kombet e Bashkuara, por edhe Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe disa nga vendet e tjera të Grupit të Kontaktit, kam besim të plotë që këto çështje do të zgjidhen në mënyrë të kënaqshme dhe të dyja palët do të arrijnë të gjejnë një emërues të përbashkët. Bindja ime për këtë mbështetet në realizëm. Duke u nisur nga bisedimet e shumta të kryera në Beograd, Prishtinë, Bruksel, këto janë kushte që duhen plotësuar për të arritur një entitet të drejtë dhe shumëetnik në Kosovë. Gjithkush e kupton që kjo duhet bërë, sepse në një vështrim më të gjerë një Kosovë e suksesshme, ashtu si edhe Bosnja dhe vendet e tjera të rajonit duhet të jenë pjesë e zhvillimeve rajonale, si në drejtim të marrëdhënieve me njerëzit, mes grupeve etnike dhe përparimit të duhur për zhvillim të kënaqshëm. Unë parashikoj që megjithëse negociatat mund të jenë të vështira herë pas here, ato do të jenë të suksesshme.
Zëri i Amerikës: Megjithë angazhimin e dukshëm ndërkombëtar për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Prishtina dhe Beogradi kanë qëndrime të kundërta siç i kanë pasur gjithmonë dhe nuk duken shenja kompromisi. Cilat mendoni se janë shanset që t’u imponohet një zgjidhje?
Geri Methjus: Mendoj se duhet ta kuptojmë ndryshimin mes asaj që palët mund të thonë publikisht dhe planeve që ata po bëjnë për arritjen e kompromisi për pika kyçe. Megjithëse herë pas here mund të jetë e vështirë, bindja ime i ka bazat në faktin që shumë gjëra janë sheshuar në bisedime dhe tani kanë mbetur vetëm disa vendime përfundimtare për t’u marrë dhe të themi të vërtetën përsa i takon Beogradit, edhe serbët duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, kështuqë është e nevojshme për ta që të tregojnë gatishmëri, ashtu si edhe për Kosovën.
Zëri i Amerikës: Cili do të jetë statusi përfundimtar sipas mendimit tuaj?
Geri Methjus: Unë personalisht mendoj se Kosova do të bëhet e pavarur, sigurisht me një rol të vashdueshëm dhe të konsiderueshëm të komunitetit ndërkombëtar, si për nevoja sigurie, ashtu edhe zhvillimi. Gjithashtu mendoj se do të ketë një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit, por do të shohim më parë se si do ta relizojnë një gjë të tillë negociatorët shumë kompetentë që po merren me këtë çështje.