Lidhje

Goldberg i kthen përgjigje aludimeve të kryeparlamentarit të Kosovës


Shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, i ktheu përgjigje sot të tërthortë kryetarit të parlamentit të Kosovës Nexhat Daci, i cili u shkarkua të premten nga kryesia e Lidhjes Demokratike për tu zëvendësuar me nënkryetarin e kësaj partie, Kolë Berisha.

Zoti Daci ka aluduar në ndikimin e diplomatëve amerikanë në ndryshimet e fundit në skenën politike në Kosovë dhe shkarkimin e tij nga kryesia e Lidhjes Demokratike. Shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, hodhi poshtë përpjekjet për t’i përfshirë Shtetet e Bashkuara në zhvillimet e fundit në skenën politike në Kosovë dhe përpjekjet për të akuzuar zyrën amerikane në Prishtinë për ndërhyrje. “Do të thosha tre gjëra, një gjë do të thoja se është për fat të keq që ndonjë mund të përpiqet të akuzojë zyrën amerikane për ndonjë gjë apo të tërheqë Shtetet e Bashkuara në atë që është një cështje politike vendore këtu; e dyta, ne na kanë konsultuar gjithë kohën, cdo ditë për cështje që ndodhin në Kosovë, dhe sinqerisht, jemi të privilegjuar që na pyesin për pikëpamjet tona; ndonjëherë pikëpamjet tona pranohen si pikëpamje këtu, ndonjëherë kemi diskutime miqësore dhe nuk pranohen, kështu që mendoj se është një pjesë natyrale e diplomacisë; dhe e treta, në analizën përfundimtare, vendimet e marra këtu janë vendime demokratike të marra nga partitë politike që janë anëtarë të një koalicioni dhe janë vendimet e tyre; dhe mendoj se është shumë për fat të keq që tërheqësh Shtetet e Bashkuara në të”, tha zoti Goldberg.

Shefi i zyrës amerikane në Prishtinë i bëri këto komente pas takimit me presidentin Fatmir Sejdiu, i cili falenderoi zotin Godlberg dhe zyrën amerikane për gadishmërine tyre të vazhdueshme për të ndihmuar zhvillimin e proceseve demokratike në Kosovë. Presidenti sqaroi gjithashtu hapat e mëtejshëm që do të duhet të ndërmerren për krijimin e qeverisë së re dhe zgjidhjen e çështjes Daci.

Kryetari i parlamentit Nexhat Daci nuk ka pranuar të japë dorëheqjen megjithëse u shkarkua nga kryesia e partisë së tij, duke thënë se do ta bëjë këtë nëse e kërkon Lidhja Demokratike dhe jo kryesia e saj. Çështja e zotit Daci duket se do të zgjidhet përfundimisht nga organet drejtuese të kësaj partie dhe grupi i saj parlamentar. //rd//

XS
SM
MD
LG