Lidhje

India dhe Shtetet e Bashkuara arrijnë marrëveshje për bashkëpunim bërthamor


India dhe Shtetet e Bashkuara arritën një marrëveshje përfundimtare lidhur me bashkëpunimin për çështjen bërthmore për të cilën janë zhvilluar disa muaj negociata.

Kryeministri indian Manmohan Singh dhe Presidenti Bush e bënë këtë njoftim në një konferencë të përbashkët shtypi, pas bisedimeve që u zhvilluan sot në New Delhi. Presidenti Bush tha se nuk ishte e lehtë për çdonjërën nga palët të arrijë atë që ai e quajti një marrëveshje historike, por u zotua se do të përpiqet me sa mundet për ta bindur Kongresin amerikan për përfitimet prej saj si nga India, edhe nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Bush tha se marrëveshja për bashkëpunimin bërthamor do të ndihmojë industrinë e energjisë bërthamore civile të Indisë, si dhe do të ndihmojë në lehtësimin e trysnisë globale për energjinë. Presidenti tha se e kishte nxitur Indinë dhe Pakistanin për zgjidhjen e mosmarrëveshjes që ekzistonte prej një kohe të gjatë, lidhur me rajonin e Kashmirit. Të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu lidhur me çështje të tregtisë dhe bujqësisë.

Presidenti Bush u takua edhe me 9 udhëheqës fetarë të Indisë, që përfaqësojnë të gjitha besimet fetare në këtë vend. Ata diskutuan lidhur me kontributin e Indisë në botë, si një shembull unitet dhe paqe në kushtet e një shoqërie me diversitet. Po sot, gjatë drekës me kryeministrin indian, presidenti Bush vlerësoi demokracinë në Indi, si një shembull i pluralizmit, lirsë fetare dhe të drejtave të njeriut.

Mijëra demonstrues që ishin mbledhur sot në kryeqytetin indian për të protestuar kundër vizitës së Presidentit Bush, dhe ligjvënës nga partitë e majta, organizuan një demonstratë jashtë ndërtesës së Parlamentit të vendit. //rd//

XS
SM
MD
LG