Lidhje

Eliot Engel:  Jam i sigurt se Agim Çeku do të bëjë një punë shumë të mirë si kryeministër


Duke komentuar rreth dorëheqjes së Kryeministrit të Kosovës, anëtari i Kongresit amerikan, Elliot Engel, shprehet se fakti që tranzicione të tilla në Kosovë janë bërë në mënyrë paqësore dhe demokratike tregon se Kosova është e gatshme të marrë pavarësinë menjëherë.

Zëri i Amerikës: Kongresmen Engel, sikur të mos mjaftonte vdekja e presidentit Rugova, tani po largohen nga postet dy nga figurat kryesore të politikës, kryeministri dhe kryetari i parlamentit. Si i shikoni ju këto ngjarje?

Elliot Engel: Kjo është çështje e brendshme e qeverisë së Kosovës, çfarë tregon se Kosova është vend demokratik, dhe sinqerisht kjo është një arsye më tepër pse Kosovës i duhet dhënë pavarësia menjëherë. Në disa vende të tjera të botës, në disa diktatura, nëse dikush në nivele të tilla jep dorëheqjen, nëse dikush vdes, të nesërmen ka tanke nëpër rrugë. Deri tani janë bërë disa tranzicione në qeverinë e Kosovës, të gjitha janë bërë në mënyrë paqësore, demokratike dhe me pjekurinë e një qeverie demokratike. Kur vdiq presidenti Rugova, ne pamë zëvendësimin e tij në mënyrë demokratike. Kur kryeministri Haradinaj u desh të jepte dorëheqjen ne pamë zëvendësimin e tij në mënyrë demokratike. Dhe tani që kryetari i parlamentit dhe kryeministri dhanë dorëheqjen kjo po bëhet në mënyrë paqësore dhe demokratike. Dhe unë e shoh si shenjë pozitive se populli i Kosovës është gati për pavarësi dhe gati për të zënë vendin e tij në lidhjen e vendeve demokratike. Ky është një popull që e kupton se kur një udhëheqës vdes apo jep dorëheqjen ai zëvendësohet në mënyrë demokratike siç parashihet nga kushtetuta.

Zëri i Amerikës: A nuk është koha disi e papërshtatshme, pasi ndërkohë që udhëheqjes së Kosovës i duhet të përqendrohet në strategjinë e saj të negociatave për statusin kalon nëpër luhatje të tilla?

Elliot Engel: Unë e njoh gjeneral Çekun, ai nuk është i sapoardhur në politikën e Kosovës. Ai njihet dhe pëlqehet nga shumë njerëz dhe unë mendoj se është njeri shumë i kualifikuar dhe i aftë dhe jam i sigurt se do të bëjë një punë shumë të mirë si kryeministër. Unë kam punuar edhe me kryeminsitrin Kosumi dhe më ka pëlqyer, madje sapo e pashë para dy javësh në New York, atë e kam shok, po ashtu edhe Çekun. Unë mendoj se gjeneral Çeku do të jetë zgjedhje e mirë si kryeminsitër. Si anëtar i kongresit amerikan unë nuk zgjedh udhëheqësit e vendeve të tjera, kjo i takon popullit të Kosovës, por si anëtar i kongresit që ka mbështetur gjithmonë pavarësinë e Kosovës, unë do të punoj me këdo që të zgjedhë populli i Kosovës. Kështu ka ndodhur me presidentin e ri Sejdiu, i cili më pëlqen shumë, si dhe me zotin Çeku. Mendoj se ata do të jenë ekip i mirë.

Zëri i Amerikës: Udhëheqësit e Kosovës marrin pjesë në negociatat për statusin krahas negociatorëve me përvojë si të palës sërbe ashtu edhe të komunitetit ndërkombëtar. A është kjo një detyrë e vështirë për delegacionin e Kosovës?

Elliot Engel: Po është e vështirë, por ne mendojmë se përfaqësuesit e Kosovës janë të aftë ta kryejnë këtë detyrë. Ne kishim të njëjtën situatë para disa vitesh në Rambuje. Kur unë u takova atje me delegacionin shqiptar të Kosovës, ata treguan që në atë kohë se ishin të aftë të negocionin dhe mendoj se janë edhe tani. Komuniteti botëror e kupton se serbët kanë më shumë përvojë. Serbia ka qenë shtet i pavarur për një kohë më të gjatë dhe ka më shumë përvojë, kjo kuptohet. Unë isha në Kosovë në varrimin e doktor Rugovës, isha edhe në Bruksel dhe Gjenevë disa muaj para varrimit, kam folur me shumë diplomatë, edhe diplomatë evropianë për Kosovën, dhe ndryshimi që shoh unë tani në krahasim me para disa vitesh është se të gjithë janë dakort që e vetmja zgjidhje dhe e ardhme për Kosovën është një shtet i lirë dhe i pavarur. Para disa vitesh më thoshin se shqiptarët nuk janë të gatshëm, serbët nuk do ta lejojnë kurrë këtë, e të tjera. Kurse tani nuk ndodh e njejta gjë, dhe kjo është shenjë shumë e mirë.

Zëri i Amerikës: Por serbët nga ana tjetër, siç kanë deklaruar, nuk do të binin kurrë dakord me pavarësinë e Kosovës. Nëse negociatat për statusin nuk do të jepin rezultatet e dëshiruara, pra një zgjidhje të pranueshme për të dy palët, çfarë duhet bërë?

Elliot Engel: Në atë pikë komuniteti ndërkombëtar do të duhet të imponojë një marrëveshje, një të ardhme. Unë mendoj se serbët në një farë mënyre e kuptojnë se kanë humbur Kosovën. Keqadministrimi i tyre, diktatori i tyre Millosheviç, politikat e tij, shtypja e shqiptarëve, të gjitha këto kontribuan në faktin që ata e humbën Kosovën. Pas 1999, kushdo që e di historinë, e kupton se Kosova nuk mund të qeveriset më kurrë nga Beogradi. Kjo nuk mund të ndodhë, dhe komuniteti ndërkombëtar e kupton këtë. Unë mendoj se edhe udhëheqja serbe e ka fare të qartë këtë. Por pranimi i këtij fakti para popullit të saj është një gjë tjetër. Por sa më shpejt që të ketë paqe në rajon dhe sa më shpejt që Serbia të integrohet në BE, krerët serbë duhet t’i tregojnë popullit të tyre të vërtetën, dhe e vërteta është se ata e kanë humbur Kosovën. Ata e dinë se nuk do ta qeverisin më Kosovën dhe nuk do të lejohen të vendosin për të ardhmen e saj. Është populli i Kosovës që duhet ta marrë vendimin, dhe ky popull do pavarësinë, komuniteti ndërkombëtar e kupton këtë.

Zëri i Amerikës: Për sa u përket pakicave, një nga kushtet për udhëheqjen e Kosovës është trajtimi i tyre. A ka bërë mjaft ajo në këtë drejtim?

Elliot Engel: Çelësi për pavarësinë e Kosovës është që të gjitha pakicat të trajtohen me respekt si shtetas të rregullt të një Kosove të pavarur. Kjo vlen për serbët ashtu edhe për pakicat e tjera. Dhe unë mendoj se udhëheqja shqiptare e Kosovës duhet ta përforcojë vazhdimisht këtë për ta siguruar komunitetin ndërkombëtar se në Kosovën e lirë dhe të pavarur çdo shtetas i Kosovës do të ketë të njejtat liri, pa marrë parasysh nëse është shqiptar, serb, rom apo çfarëdo tjetër. Trajtimi duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Sa më shpesh të thuhet kjo aq më i lirë do të ndihet komuniteti ndërkombëtar për t’i dhënë Kosovës pavarësinë që meriton. Por këtu ka edhe çështje të tjera si manastiret ortodokse serbe, vendet e shenjta fetare serbe, ato duhet të ruhen dhe të mbrohen.

Zëri i Amerikës: Pra, ju thoni se populli dhe udhëheqja e Kosovës kanë arritur pjekurinë e duhur për drejtimi e një shteti.

Elliot Engel: Pa asnjë dyshim. Unë e përkrah pavarësinë për Kosovën që nesër, madje që sot. Por për sa i përket çështjes së minoriteteve udhëheqja shqiptare e Kosovës duhet të bindë komunitetin ndërkombëtar se janë të gatshëm të mbrojnë minoritetet, dhe shpresoj se kjo do të ndodhë shpejt, pra këtë vit, dhe kjo do të jetë pengesa e fundit që njerëzit të bien dakort për t’i dhënë Kosovës pavarësinë.

XS
SM
MD
LG