Pas takimeve që pati sot në Bruksel në selitë e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian, administratori i Kosovës, Soren Jesen Petersen, tha se statusi përfundimtar i Kosovës nuk do të vendoset as në Beograd dhe as në Prishtinë por në New York, bazuar në procesin e bisedimeve të drejt për dreja mes palëve dhe normave të vëna nga komuniteti ndërkombëtar.
Administratori i Kosovës, Soren Jesen Petersen tha për gazetarët se në takimin që pati me zyrtarët e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian sot në Bruksel, ata diskutuan zhvillimet në Kosovë pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova dhe zgjedhjes së Presidentit të ri, duke vënë në dukje se fillimi i bisedimeve të drejt për drejta mes Prishtinës dhe Beogradit është inkurajues.
Zoti Petersen tha se ata diskutuan gjithashtu edhe strategjinë e të ardhmes në kuadrin e planit të përgatitjeve për periudhën pas UNMIK-ut, në bashkëpunim të ngushtë dhe nëpërmjet një dialogu konstruktiv me Bashkimin Evropian, që ky i fundit të luajë një rol më të madh për sa i përket shtetit juridik. Zoti Petersen tha se gjendja politike në Kosovë tani është më e mirë, megjithë vështirësitë e shumta që ende ekzistojnë dhe i vuri theksin përgatitjeve për të ardhmen:
“Ne po bëjmë plane për jetën pas UNMIK-ut, pra për periudhën pas statusit. Sot u takova me sekretarin e pëgjithshëm të NATO-s dhe ai më siguroi se alenca do të qendrojë në Kosovë, jo vetëm deri sa të vendoset statusi i saj, por edhe më pas. Ne kemi nevojë për sigurinë që garanton prania e KFOR-it, sepse gjendja megjithëse e qendrueshme është ende delikate dhe veçanërisht lidhur me pakicave, prandaj NATO-ja do të vazhdojë të qendrojë në Kosovë”.
Administratori i Kosovës, Soren Jesen Petersen, tha se pa dyshim që Bashkimi Evropian do të jetë institucioni kryesor pas përcaktimit të statusit dhe po bën planet përkatëse për atë periudhë. Shteti ligjor, policia dhe sistemi juridik janë disa nga preokupimet kryesore, por ka vend që BE-ja të luajë rol edhe në ekonominë e Kosovës, por prania e Bashkimit Evropian, në ndryshim nga UNMIK-u do të jetë ndjeshëm më e paktë. Në përgjithësi roli i tij do të përqendrohet në ngritjen e strukturës politike dhe sociale. Është mirëkuptimi i përgjithëshëm se autoritet lokale do të kenë rolin qeverisës, por Bashkimi Evropian duhet të jetë atje për t’i mbështetur ato dhe për të garantuar sigurinë e pakicave.
Përsa i përket se çfarë entiteti do të jetë Kosova në të ardhmen, zoti Petersen tha se kjo do të vendoset bazuar në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit në përputhje me parimet që tashmë janë fare të qarta, por statusi përdundimtar i Kosovës do të përcaktohet në New York.
“Eventualisht ai do të jetë një vendim që nuk do të merret as në Beograd dhe as në Prishtinë. Ky do të jetë një vendim që do të merret në Kombet e Bashkuara”.
Ai tha më tej se për momentin, ka rëndësi fakti se bisedimet e drejt për drejta për statusin filluan më 20 shkurt në Vienë dhe u përshkruan si takimi i parë konstruktiv mes palëve. Kjo është bazë për krijimin e mirëbesimit mbi të cilin do të ndërtohet e ardhmja, tha administratori i Kosovës, Jesen Petersen, dhe shprehu bindjen e tij se vendimi për statusin përfundimtar do të merret brenda këtij viti.