Lidhje

Ministria e Jashtme iraniane: Qeveria mbetet e angazhuar ndaj Traktatit për Mospërhapjen Bërthamore


Ministria e Jashtme iraniane tha se qeveria e Teheranit mbetet e angazhuar ndaj Traktatit për Mospërhapjen Bërthamore, pavarësisht nga një kërcënim i presidentit iranian për t’u tërhequr nga marrëveshja botërore.

Zëdhënësi iranian, Hamid Riza Asefi, thotë se Irani do të nderojë angazhimet e tij ndaj traktatit, por nuk mund të pranojë që ai të përdoret si mjet politik. Presidenti Ahmedinexhad tha të shtunën se Irani mund të tërhiqet nga traktati, nëse trysnia e jashtme lidhur me programin e tij bërthamor vazhdon të rritet.

Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore e akuzojnë Iranin se po përpiqet të prodhojë një bombë atomike. Kurse Irani thotë se programi i tij bërthamor është thjeshtë për prodhimin e energjisë elektrike.

Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs tha dje se Irani do ta thellojë izolimin e tij nëse tërhiqet nga traktati. Ajo tha gjithashtu se një koalicion vendesh, ku përfshihen të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, është i vendosur të bllokojë përpjekjet e Iranit për të prodhuar armë bërthamore.

XS
SM
MD
LG