Në Irak, aleanca shiite në pushtet do t’i vazhdojë sot për të dytën ditë negociatat për zgjedhjen e kryeministrit të ri të vendit.
Takimi i sotëm u planifikua pasi 128 deputetët e aleancës Aleanca Iraku i Bashkuar nuk arritën të vendosin dje midis dy kandidatëve, Kryeministrit Ibrahim al-Jafari, dhe Nënpresidentit Adel Abdul-Mahdi.
Burime shiite thonë se fraksioni i klerikut Moqtada al-Sadr donte më tepër kohë për të diskutuar me fraksionet e tjera për arritjen e një konsensusi.
Ndërkaq, policia tha se ish udhëheqësi i grupit më të madh kryengritës i kurdëve të Turqisë, Kani Jilmaz, u vra dje, kur makina e tij shpërtheu në pjesën veriore të Irakut. Një zyrtar i policisë në Sulejmanijeh tha se shpërthimi me sa duket ishte rezultat i një problemi teknik.
Viktima ka qenë më parë anëtar i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, por ai u shkëput nga kjo parti për t’u bashkuar me Partinë Patriote Demokratike të Kurdistanit që ndjek një platformë paqësore.