Lidhje

Raste të gripit të shpendëve në Itali, në Greqi, në Bullgari...


Autoritetet kanë konfirmuar praninë e tipit vdekjeprurës të gripit të shpendëve H5N1 në Itali, në Greqi dhe në Bullgari.

Ministri italian i Shëndetësisë tha se autoritetet kishin gjetur dy mjellma të ngordhura pas infektimit me virusin në tre rajone të vendit, në Pulia, në Kalabri dhe në Siçili. Ndërsa zyrtarët grekë thanë se analizat laboratorike në Britani konfirmuan se mjellmat e ngordhura që u gjetën pranë Selanikut në fillim të javës, ishin gjithashtu viktimë e epidemisë vdekjeprurëse.

Po ashtu, zyrtarët e Bashkimit Evropian thonë se në laboratorin britanik u konfirmua gjithashtu prania e virusit edhe në mjellmat e egra që u gjetën javën e kaluar në veri të Bullgarisë. Zyrtarët në Rumani njoftuan për raste të reja të dyshuara si grip shpendësh në Deltën e Danubit. Ndërkohë, Kina dhe Indonezia njoftuan dje secila nga një të vdekur nga virusi H5N1.

Autoritetet në Azerbajxhan dhe Nigeri kanë marrë masa për të penguar përhapjen e variantit vdekjeprurës të gripit të shpendëve tek zogjtë. Ky infeksion ka shkaktuar vdekjen e 90 personave në mbarë botën që nga viti 2003. Ekspertët thonë se virusi po përhapet nga një vend tek tjetri nga zogjtë shtegtarë. Zyrtarët botërorë të shëndetësisë po përpiqen për të parandaluar një epidemi globale.

Në Itali, epidemia rrezikon të shpërqëndrojë vëmendjen nga Lojërat Olimpike

Nga Sabina Kastelfranko

Në Itali, është dita e parë e Lojrave Olimpike Dimërore por shpërthimi i një epidemie të gripit të shpendëve mund të bëhet shkak që gjithë vemendja të zhvendoset nga lojrat. Raste të virusit vdekjeprurës janë konfirmuar në Italinë jugore si dhe në Greqi dhe Bullgari. Sabina Castelfranco njofton nga Torinoja. Ndërkohë që gjithë Italia e ka përqendruar vemendjen te Lojrat Olimpike Dimërore në veri të vendit, në jugun italian raste të gripit të shpendëve janë konfirmuar në tre rajone: Kalabri, Pulia dhe Siçili. Këto janë rastet e para që njoftohen në Itali. Pas informimit që i bëri kabinetit lidhur me gjendjen, Ministri i Shëndetësisë, Francesco Storace konfirmoi se virusi vdekjeprurës ishte gjetur tek mjellmat. Ai tha se rajoni i prekur më shumë tani për tani është Siçilia, ku problemi duket më i përhapur.

Zoti Storace tha se vazhdon të ndryshojë numri i mjellmave që janë gjetur të ngordhura. Deri tani, shtoi ai, 17 mjellma kanë ngordhur në tre rajone të Italisë së jugut, shumica prej tyre si pasojë e variantit H5N1 të virusit. Ai tha se testimet ishin bërë në një laborator në qytetin verior të Padovës dhe se vazhdojnë analizat e mëtejshme. Storace tha gjithashtu se sëmundja ka ardhur ndoshta nga zogjtë shtegtarë dhe është shkaktuar nga moti i ftohtë në Ballkan dhe në veri të Evropës. Ministri i Shëndetësisë tha se nuk ka infektime në njerëz. Ai u përpoq gjithashtu të japë sigurime se këto raste nuk përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për njerëzit dhe infektojnë vetëm shpendët. Ministri njoftoi se do të nënshkruajë një dekret që ndalon çdo lëvizje të kafshëve në disa zona të tre rajoneve të prekura për një periudhë 21 ditore.

Ndërkohë, Juan Lubroth një zyrtar i lartë i shëndetit të kafshëve në Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, tha se për njerëzit, rreziku i transmetimit të sëmundjes do të ishte përmes shpendëve shtëpiake. Ai tha se nëse shpendët mbahen në mjedise të hapura në kontakt me zogjtë e egër të infektuar, mundësia e trasnmetimit të sëmundjes do të jetë më e madhe.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se nga gripi i shpendëve kanë vdekur të paktën 88 vetë në Azi dhe Turqi që nga viti 2003. Pothuajse të gjitha vdekjet janë të lidhura me kontaktet me shpendët e infektuar por ekspertët shqetësohen se virusi mund të ndryshojë dhe të shndrrohet në një formë që përhapet lehtë midis njerëzve.//lk

XS
SM
MD
LG