Presidenti i ri, Fatmir Sejdiu vjen në këtë detyrë ndërsa Kosova ndodhet sot në një moment kritik, kur po përcaktohet statusi i saj, me shumë sfida për të kapërcyer. Zoti Sejdiu do të pasojë në këtë detyrë presidentin Rugova, i cili la një tashëgimi të pasur në mbështetje të realizimit të aspiratave të popullit të tij.
Zëri i Amerikës: Zoti Sejdiu, fillimisht, si do të jetë presidenca juaj? Ju keni thenë se do të vazhdoni trashëgiminë e Presidentit Rugova, por presidenti Rugova sillte me vete një përvojë të gjatë si themeluesi i lëvizjes moderne të rezistencës së shqiptarëve. Në këtë kontekst, çfarë të reje do të sillni ju?
Fatmir Sejdiu: Është një nder i veçantë për mua që të jem një nga bartësit e drejtpërdrejtë të asaj trashëgimie kaq të madhe, që la presidenti Rugova dhe po ashtu është nder i veçantë, që deputetët e Kosovës më besuan këtë barrë në këtë kohë kaq të rëndësishme për Kosovën dhe për të ardhmen e saj. Unë mendoj se me një bashkëpunim të ndërsjelltë institucionet e Kosovës dhe partite politike të pozitës dhe opozitës, do të jemi të denjë që të çojmë këtë mission përpara, aq më tepër në këtë faze kaq të rëndësishme që gjendemi, duke nxitur proceset e reja me një dinamikë mjaft të shpejtuar, për të materializuar atë vizion të rëndësishëm që kishte plotësuar presidenti Rugova, si ndërtues i politikës moderne dhe të ardhmes së Kosovës dhe për të realizuar pavarësinë e Kosovës. Natyrisht që në këtë proces na nevojitet, po ashtu sikur edhe më pare, një bashkëpunim i domosdoshëm me faktorin ndërkombëtar, të cilët ndihmuan Kosovën aq fuqishëm dhe mendojmë se me këtë ecje të përbashkët ne do t’ja arrijmë qëllimit final.
Zëri i Amerikës: Zoti President, me ardhjen në detyrë ju do të ndesheni menjëherë me një proces kritik për Kosovën. Ju do të jeni kryetari i grupit negociues për statusin, bisedimet pritet të fillojnë pas pak ditësh. Dy palët i kanë bërë të qarta qëndrimet e tyre të skajshme, megjithatë, të dy palëve u është bërë thirrje për kompromis. Duke qënë se ju jeni edhe specialist i së drejtës ndërkombëtare, ku i shikoni ju mundësitë për kompromis?
Fatmir Sejdiu: Unë mund të them se kompromisi kupton vetëm pavarësinë e Kosovës. Shqiptarët e Kosovës, si popull shumicë në Kosovë dhe të gjitha komunitetet e tjera që e mbështesin pavarësinë e Kosovës, këtë vizion politik dhe këtë përcaktim, e llogarisin si një kompromis të drejtpërdrejtë, sepse jemi në një gjendje që çmojmë realitetet e krijuara, duke patur parasysh edhe balancën e përgjithshme të ndërtuar në këtë pjesë të Evropës Juglindore dhe aq më tepër dëshirojmë, që të jemi factor i rëndësishëm i stabilitetit në rajon. Mbi këtë bazë, natyrisht që përcaktimi i popullit të Kosovës për pavarësinë brenda kufijëve të saj të njohur ndërkombëtarë, natyrisht që është varianti, që ne kemi ofruar dhe është variant shumë serioz.
Zëri i Amerikës: Zoti Sejdiu, gjendja e pakicave është një nga problemet më të vështira dhe të pazgjidhur ende. Pala shqiptare vazhdmisht ka dhënë disa here garanci për mbrojtjen e të drejtave të tyre, por komuniteti ndërkombëtar vazhdon të shprehë shqetësim. Si mund ta bindni ju komunitetin ndërkombëtar, çfarë garancish institucionale ofroni ju, për respektimin konkret të të drejtave të tyre?
Fatmir Sejdiu: Lirisht mund të them se është një provë e mirë edhe në këto vitet pas lufte, ku gradualisht janë mbartur përgjegjësitë në institucionet e Kosovës, se ne kemi bërë oferta serioze për çështjen e trajtimit të komuniteteve të tjera, apo të pakicave dhe në veçanti në këtë kontekst edhe të pakicës serbe, duke patur parasysh nevojën që ata të jenë pjesë integruese e të gjitha proceseve të jetës, pra edhe në proceset në jetën e institucioneve të Kosovës. Natyrisht që garancitë e para janë edhe garancitë e aspektit kushtetues, por ne ndërkohë mund të themi se edhe proceset në vazhdim kanë të bëjnë me oferta serioze, sidomos ato që kanë të bëjnë me zgjidhjen e problemeve praktike, përshembull çështja e reformës së pushtetit lokal, ku edhe komunitetet e tjera, sikurse edhe qytetarët e tjerë të Kosovës, do të jenë në gjendje që të prekin me duart e tyre pushtetin e drejtpërdrejtë, apo të jenë mbartës realizues të këtij procesi dhe të këtij pushteti. Natyrisht që trajtimi themelor i tyre do të mbështetet në standartet më të larta ndërkombëtare, duke patur parasysh realizimin e të gjithë asaj, që ka të bëjë me konventat ndërkombëtare mbi trajtimin e minoriteteve dhe mendoj se është një borxh i shumicës, në këtë rast i shumicës shqiptare, që të jenë shumë të denjë në këtë drejtim dhe shumë të përgjegjshëm. Besoj se kjo ofertë e vazhduar dhe që ka të bëjë edhe me proceset që nisën me bisedimet e Vjenës, janë të tilla dhe në këtë kuptim ne kemi pasë një qasje shumë serioze, e cila që në fillim është përshëndetur edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Në këtë aspekt të gjitha angazhimet tona do të jenë edhe në fazën e ardhshme, që qytetarët e Kosovës, pra edhe të komuniteteve të tjera, ta ndjejnë Kosovën si vendin e vet, si atdheun e tyre dhe të punojnë për të ardhmen e tij.
Zëri i Amerikës: Si e shikoni statusin e pakicës serbe në Kosovë në të ardhmen?
Fatmir Sejdiu: Po i shikojmë në përgjithësi si qytetarë të barabartë, sikur çdo qytetar tjetër i Kosovës dhe mbi këtë aspekt natyrisht që është shumë e nevojshme që gjithë ajo trashëgimi kulturore historike e komunitetit serb, e komunitetit shqiptar dhe e komuniteteve të tjera, të trajtohet si pasuri e Kosovës dhe besoj në esencë ajo është e tillë. Në këtë aspekt garancitë tona më të fuqishme janë pikërisht në mbrojtje të gjithë atyre që mund të quhen pjesë të vlerës nacionale në standartet më të larta ndërkombëtare.
Zëri i Amerikës: A mund të ketë ndonjë status të veçantë për ta?
Fatmir Sejdiu: Po ne nuk kemi hapësirë dhe nuk kemi model që Kosova të krijojë statuse të veçanta për pakicën apo edhe shumicën. Për ne është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët e Kosovës të integrohen në të gjitha rrjedhat e sistemit. Natyrisht që ky aspekt i reformimit të pushtetit lokal është një ofertë e mirë dhe një garanci e rëndësishme që qytetarët e mjediseve të ndryshme ta ndjejnë më afër pushtetin, apo të jenë bartës të tij. Në këtë aspekt mund të them se dhe një projekt i filluar si ndërtimi i disa komunave pilot ka të bëjë me një sprovë të rëndësishme për të parë thjesht proceset integruese të tyre. Por assesi kjo nuk do të nënkuptojë që të ketë qasje të atilla, të cilat do të bëjnë hermetizimin apo barrikatizimin e komuniteteve, ndërtimin e kufijëve eventual mes tyre, të cilat natyrisht do të ndërprisnin çdo komunikim me pjesën tjetër të tërësisë dhe natyrisht në këtë qasje kemi parasysh që institucionet e Kosovës të kenë mundësinë e realizimit të plotë të sovranitetit të tyre apo të gjithë funksioneve të tyre në tërësinë territoriale të Kosovës.
Zëri i Amerikës: Zoti Sejdiu, ju jeni shprehur se do të punoni intensivisht për të siguruar unitetin e klasës politike shqiptare në këtë moment negociatash. Sa vështirësi shikoni në të ardhmen për të ruajtur unitetin, që ju jeni angazhuar të mbani ?
Fatmir Sejdiu: Po mendoj se do të jem faktor i rëndësishëm. Kujtoj bashkë me të tjerë që kanë qasje të deklaruara të themi esencialisht që të mbajmë këtë unitet të nevojshëm, një unitet funksional i cili do të garantojë shpejtimin e proceseve dhe natyrisht do të jetë përfaqësuesi i largpamësisë së mendimit politik, që e kemi present në Kosovë. Por më e rëndësishmja është se në këtë unitet ekziston një formulë që i bashkon të gjithë. Është çështja e të ardhmes së Kosovës, e të ardhmes së pavarur të Kosovës, mbi të cilën nuk ka dilemë.//rd//