Lidhje

SHBA: Seancë pyetjesh e Komisionit Juridik të Senatit mbi programin e përgjimeve


Komisioni juridik i Senatit amerikan do të zhvillojë nesër një seancë pyetjesh me Prokurorin e Përgjithshëm mbi programin e fshehtë të përgjimeve të qeverisë, në bazë të së cilit telefonatat e disa amerikanëve ishin përgjuar pa urdhër gjykate.

Kryetari i komisionit Arlen Specter, anëtar i Partisë Republikane të presidentit thotë se do ta pyesë Prokurorin e Përgjithshëm Alberto Gonzales se pse administrata e Presidentit Bush vendosi të mos kërkojë autorizimin e një gjykate të posaçme që merret me përgjimet e kundërzbulimit. Zoti Specter tha në një intervistë për televizionin NBC se përgjigjet që ka dhënë administrata deri tani kanë qenë sipas tij shumë të çuditshme dhe jorealiste.

Presidenti Bush e ka mbrojtur programin e përgjimit si një instrument të nevojshëm për të ndalur terroristët dhe thotë se e kishte autoritetin ligjor që të jepte leje për përgjim pa vendim gjykate.

Gazeta Washington Post shkruante sot se në bazë të programit ishin përgjuar telefonatat e mijëra amerikanëve, por më pak se 10 shtetas ose banorë çdo vit kishin ngjallur interes të mjaftueshëm për të justifikuar edhe përgjimin e telefonatave të tyre të brendshme. //ad//

XS
SM
MD
LG