Lidhje

NASA lëshon sondën pa pilot në misionin e parë për studimin e Plutonit


Shtetet e Bashkuara lëshuan sondën e parë eksploruese drejt planetit të akulltë Pluton. Distanca nga Toka është aq e madhe saqë udhëtimi i saj do të zgjasë nëntë vjet për një eksplorim për më pak se nëntë orë. Astronomët thonë se rezultatet do t’ja vlejnë pasi ato mund të na tregojnë më shumë rreth origjinës së sistemit tonë diellor.

Plutoni është planeti më i fundit i sistemit tonë diellor që vizitohet gjatë katër dekadave të eksplorimit të hapësirës. Arsyeja për vonesën është thjesht distanca prej më shumë se 6 miliardë e 500 milion kilometrash, 50 herë më shumë sesa ajo nga Dielli në Tokë.

Drejtori i studimeve të sistemit diellor në agjencinë amerikane të hapësirës NASA, Andrew Dantzler, thotë se vetëm në dekadën e kaluar shkencëtarët kuptuan se ky mini planet i akullt, më i vogës se hëna jonë, mund të fshehë sekrete të rëndësishme rreth sistemit diellor. "Plutoni është një thesar që pret të zbulohet. Ai është ndryshe nga planetet e gurtë. Është ndryshe nga planetet e gaztë. Si i tillë, ai mban shumë të fshehta për mënyrën e formimit të sistemit tonë diellor".

Shkencëtarët mendonin dikur se Plutoni rrotullohej i vetmuar. Por vitin e kaluar astronomët e shtuan numrin e hënave të tij në tre. Ai është gjithashtu pjesë e një brezi të gjerë të ndoshta 500 mijë trupave të vegjël të akullt që qarkullojnë rreth diellit prapa Neptunit, të quajtur Brezi Kuiper, që u zbulua fillimisht në vitin 1992.

Drejtuesi i misionit të Plutonit, Alan Stern në Institutin Kërkimor Southwest në Colorado thotë se brezi është struktura më e madhe në sistemin deillor dhe ka hapur sytë e astronomëve për diversitetin e planeteve. "Plutoni dukej sikur ishte një përjashtim, pasi ishte i vetmi që shikonim, por ndonëse i vogël, është gjithsesi një planet. Duket se objekte si Plutoni janë më tipike në sistemin tonë diellor sesa planetet më të afërta që u zbuluan fillimisht dhe mundësia është të shkojmë tani dhe t’i studiojmë këto tipe trupash planetar që janë të zakontë në sistemin diellor."

Për shkak të distancës shumë të madhe të Plutonit, Nasa vuri në dispozicion fuqi të mëdha për shkurtimin e kohës së udhëtimit. Ajo përdori raketën më të madhe, Atlas Five, që arrin shpejtësinë 50 mijë kilometra në orë brenda pak minutash, duke e lejuar atë ta kalojë hënën në vetëm nëntë orë.

Alan Stern thotë se sonda do të arrijë Jupiterin për 13 muaj dhe do të shfrytëzojë gravitacionin e madh të planetit për ta shtuar shpejtësinë me 50 përqind. Kjo e shkurton fluturimin për tek Plutoni me 5 vjet. "Ne po shkojmë më larg për të arritur objektivin tonë dhe po udhëtojmë më larg sesa çdo anije tjetër më parë. Kjo do të na bëjë të rishkruhen librat shkollorë për planetet e largët".

Anija e quajtur New Horizon është e madhe sa një piano, me instrumenta për të studiuar atmosferën dhe gjeologjinë e akulltë të Plutonit si dhe hënën e tij më të madhe Charonin. Pasi të kalojë Plutonin, anija do të vazhdojë të udhëtojë drejt Brezit Kuiper për të studiuar një ose dy trupa të tjerë. Në vitet para se anija të mbërijë tek Plutoni në vitin 2015, grupi i punës do të studiojë planetin nëpërmjet teleskopit Hubble, për të parë në se ai ka më shumë hëna dhe ndoshta unaza pluhuri dhe shkëmbinjsh rreth tij që mund të eksplorohen. Gjatë qëndrimit në Jupiter në fillim të vitit të ardhshëm, ata do të vënë në provë instrumentat shkencore dhe eksploruese të anijes për të inspektuar më tej planetin e vogël. //rd//

XS
SM
MD
LG