Lidhje

Zëvendësi i kryenegociatorit ndërkombëtar për statusin e Kosovës takohet me zyrtarët më të lartë vendas


Diplomati austriak Albert Rohan, zëvendësi i kryenegociatorit ndërkombëtar për statusin e ardhshëm të Kosovës, po vazhdon vizitën e tij të dytë në Prishtinë në këtë post, me takime me gjithë klasën politike të vendit.

Ai është takuar sot me zyrtarët më të lartë shqiptarë me të cilët ka biseduar lidhur me përgatitjet që po bën Prishtina për procesin negociator për përcaktimin e statusit të ardhshëm të Kosovës.

Qeveria e Kosovës i ka bërë të ditur zotit Rohan se do të intensifikojë dialogun e brendshëm me strukturat e ndryshme të shoqërisë kosovare përmes një plan veprimi për periudhën dhjetor-janar, bazuar në takime dhe debate për përgatitjet për bisedimet për statusin dhe zhvillimet që lidhen me të. Kryeministri Bajram Kosumi, i cili u takua sot me zotin Rohan, ka thënë se qeveria e Kosovës synon të informojë drejtpërsëdrejti qytetarët për këtë, të krijojë një klimë më të mirë bashkëpunimi dhe të thellojë mirëbesimin ndëretnik.

Paralel me vizitën e zotit Rohan, Këshilli Konsultativ për Komunitete, i krijuar nga grupi negociator i Kosovës për bisedimet dhe i kryesuar nga Veton Surroi, po zhvillon takime me përfaqësuesit e pakicave, përfshi edhe pakicën serbe, e cila është përqëndruar në kërkesat e saj, veçanërisht në çështjen e decentralizimit.

Zoti Surroi është takuar sot me ministrin e Pushtetit Lokal Lutfi Haziri, të cilit i ka paraqitur nevojat dhe kërkesat e përfaqësuesve të komuniteteve të cilat janë paraqitur në këtë proces konsultimesh.

Kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Jessen Petersen, i cili merr pjesë sot në takimin e Grupit të Kontaktit në Paris, së bashku me kryenegociatorin Marti Ahtisari, ia ka bërë të ditur grupit negociator të Kosovës se decentralizimi është shumë i rëndësishëm për përcaktimin e statusit politik të Kosovës.

Grupi negociator i Kosovës hedh poshtë çdo mundësi që decentralizimi të bëhet pjesë e negociatave për statusin e ardhshëm të vendit.

XS
SM
MD
LG