Miliona banorë të Harbinit, një ndër qytetet më të mëdha të Kinës verilindore, për të tretën ditë radhazi ndeshen me mungesë uji, pasi afro 100 tonë benzol ndotën ujërat e një lumi.
Agjencia zyrtare lajmeve, Sinhua, tha se nga analizat e sotme rezulton se niveli i lëndëve toksike në lumin Songhua është 28 herë më i lartë se standartet e pranueshme kombëtare.
Agjencia e lajmeve shton se një ekip hetuesish, përfshirë edhe zyrtarë të autoriteteve ndëshkimore, pritet të mbërrijnë së shpejti në skenën e ngjarjes për të analizuar gabimet që çuan në këtë incident, një shenjë që sipas agjencisë Sinhua, tregon se ndotja do të pasohet me ndëshkime.
Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara u kanë ofruar Kinës dhe Rusisë ndihmë për të përballuar ndotjet toksike përmes ekipeve të pavarura për vlerësimin e gjendjes, por deri tani nuk kanë marrë përgjigje.