Lidhje

Vizita e presidentit Bush në Korenë e Jugut


Presidenti George W. Bush vizitoi Korenë e Jugut për t’u takuar me presidentin jug-korean Roh Moo-Hyun. Pas këtij takimit, Presidenti Bush deklaroi se ndjehej që lidhjet midis dy vendeve kurrë nuk kanë qenë më të mira.

Të dy udhëheqësit bënë një deklaratë të përbashkët, në të cilën rikonfirmuan fuqinë e aleancës midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, aleancë e cila ka ndihmuar në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Gadishullin Korean për 50 vjet me radhë.

Dy udhëheqësit diskutuan edhe rreth një numër çështjesh shqetësuese, përfshirë ambicjet e Koresë së Veriut për të zhvilluar armë bërthamore dhe marrëdhëniet ndër-koreane. Presidentët Bush dhe Roh ranë dakord se një Kore e Veriut me armë bërthamore nuk do të tolerohet, se Koreja e Veriut duhet të eleminojë menjëherë programet e saj të armëve bërthamore në mënyrë të verifikueshme dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyra paqësore dhe diplomatike. Ata lanë të kuptohet se presin përparim në bisedimet e raundit të pestë mbi këtë çështje. Ata bënë thirrje që këto bisedime t’u përkushtohen zbatimit të deklaratës së përbashkët, që është arritur në shtator në bazë të së cilës Koreja e Veriut është angazhuar për të hequr dorë nga të gjitha armët bërthamore dhe programet ekzistuese bërthamore.

Presidentët Bush dhe Roh janë dakord se rezoluta mbi çështjen bërthamore të Koresë së Veriut është shumë e rëndësishme për krijimin e paqes së qëndrueshme në Gadishullin Korean. Presidenti Bush shprehu mbështetje për ripajtimin midis dy Koreve dhe u zotua se do të vazhdojë bashkëpunimin dhe bashkërendimin, ndërsa ripajtimi evolon.

Duke diskutuar rreth gjendjes së popullit koreano-verior, të dy presidentët u zotuan se do të vazhdojnë përpjekjet për të përmirësuar kushtet e jetesës. Në një fjalim që mbajti në Japoni pak para arritjes së tij në Kore, Presidenti Bush vuri në dukje Korenë e Jugut si një shembull për vendet e tjera aziatike. “Ne nuk do ta harrojmë popullin e Koresë së Veriut. Shekulli 21 do të jetë shekull i lirisë për të gjithë koreanët dhe një ditë të gjithë qytetarët e këtij gadishulli do të jetojën në dinjitet, liri dhe begati dhe në paqe me fqinjët e tyre”.

Presidenti Bush i tha presidentit koreano-jugor Roh se Republika e Koresë ka treguar se si begatia ekonomike dhe liria politike shkojnë paralel në të mirë të popullit.

XS
SM
MD
LG