Presidenti Bush u bëri thirrje udhëheqësve të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore të përdorin ndikimin e tyre për të ushtruar trysni ndaj Birmanisë, lidhur me qëndrimin ndaj të drejtave të njeriut.
Presidenti Bush zhvilloi sot bisedime me 7 nga 10 vendet anëtare të ASEAN-it në kuadrin e Takimit të Bashkëpunimit Ekonomik të Vendeve të Azi-Paqësorit që po mbahet në Busan, të Koresë së Jugut. Sekretari i Jashtëm i Filipineve, Alberto Romulo tha se udhëheqësit e ASEAN-it i thanë zotit Bush se ishin të shqetësuar lidhur me gjendjen e të drejtave të njeriut në Birmani, por do të vazhdojnë të angazhojnë juntën ushtarake.
Presidenti Bush u takua gjithashtu me Presidentin rus Vladimir Putin. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se Presidenti Bush e mbështeti propozimin e Rusisë që Irani ta zhvillojë veprimtarinë për pasurimin e uraniumit në Rusi, si mënyrë për të ndaluar shndërrimin e kësaj veprimtarie në një program armësh bërthamore.
Të dy udhëheqësit folën gjithashtu mbi nevojën për të bërë përpara në bisedimet e Organizatës Botërore të Tregtisë, ndërhyrjet e Sirisë në Liban, mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut, për luftën në Irak, si dhe mbi përpjekjet për frenimin e përhapjes së gripit të shpendëve.