Kosova përgatitet për negociatat mbi statusin përfundimtar. Me emërimin e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për këtë proces, Marti Ahtisari, pritet që së shpejti si Beogradi dhe Prishtina të fillojnë t’i japin formë kërkesave të tyre për këtë proces. Por siç theksuan pjesëmarrësit në një konferencë të organizuar dje në Klubin Metropolitan, procesi i negociatave pritet të jetë i vështirë, dhe rezultati përfundimtar mund të mos vijë përmes kompromisit, por si imponim nga fuqitë perëndimore në këtë proces:
Konferenca e organizuar nga Aleanca për Kosovën e re, theksoi presidenti i saj Samuel Hoskinson, synon të shqyrtojë perspektivën politike dhe ekonomike të së ardhmes së Kosovës. Diskutimet u përqëndruan kryesisht në procesin e negociatave, përgatitjet dhe kohëzgjatjen e tij dhe rezultatin e mundshëm përfundimtar:
"Çfarë shansi kanë bisedimet Prishtinë-Beograd për të përfunduar me sukses, pra për të dalë me një marrëveshje të mbështetur nga të dyja palët? Unë shoh fare pak gjasa për një marrëveshje të tillë. Nëse ndodh kjo, deri në ç’nivel mund të imponojë komuniteti ndërkombëtar një zgjidhje, nëse shqiptarët që përbëjnë 90 për qind të popullatës në Kosovë nuk e mbështesin këtë zgjidhje? A mund t’i lejohet Beogradit të mbajë peng të zhvillimeve të brendshme politike të ardhmen e Kosovës dhe zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e mbarë rajonit?" pyet ish-ambasadori Uilliam Uoker.
Profesor Sami Repishti thekson se pala shqiptare është shprehur qartë se nuk do të ketë kompromis për pavarësinë dhe se edhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta pranojë pavarësinë si alternativa që i shërben më së miri qëndrueshmërisë dhe demokratizimit të Kosovës: "Demokratizimi i plotë i shoqërisë, veçanërisht mbrojtja e pakicave mund të arrihet më së miri pas shpalljes së një shteti të pavarur. Nocioni i pavarësisë së kushtëzuar nuk pranohet në Kosovë. Atje flitet tani për pavarësi të plotë me kushtëzimin e antarësimit në Bashkimin Evropian dhe në Nato."
Janush Bugajski i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare thekson se sa më shumë të zgjasin negociatat pa arritjen e një rezultati përfundimtar, aq më shumë do të rriten tensionet si brenda në Kosovë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe ndërmjet Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Analisti foli edhe për lidhjen ndërmjet statusit dhe standarteve. "Standartet nuk mund të plotësohen pa një program të qartë drejt statusit përfundimtar."
Por Xhon Norris i Grupit Ndërkombëtar të Krizave thekson se vetë shqiptarët po e vështirësojnë pozitën e tyre duke u marrë me luftë politike dhe duke mos u përqëndruar në çështjet thelbësore: "Ka vend për t’u shqetësuar shumë për qëndrimin e shqiptarëve të Kosovës në këtë proces. Në një kohë që duhet të luajnë një rol shumë historik partitë politike të shqiptarëve janë angazhuar në zënka të vogla politike. Ndërkohë që figura si Riçard Holbrook janë shprehur haptazi se nuk duhet të ketë asgjë më pak se një pavarësi të kushtëzuar, duket se shqiptarët po ia vështirësojnë komunitetit ndërkombëtar realizimin e këtij objektivi," thotë zoti Norris. Analisti thekson se politikanët shqiptarë po përpiqen tani të tregojnë kush e do më shumë pavarësinë, në vend që të përpiqen t’i provojnë komunitetit ndërkombëtar se janë të aftë ta administrojnë Kosovën.
Pjesëmarrësit në diskutim shprehën shqetësimin se me qëndrimet e tyre, Prishtina dhe Beogradi do ta bëjnë të pamundur arritjen e një kompromisi dhe si rezultat komuniteti ndërkombëtar do të detyrohet të imponojë një zgjidhje. "Shumë vende perëndimore nuk janë me ngut për të arritur një zgjidhje dhe për momentin po këmbëngulin që zgjidhja duhet arritur nga palët e angazhuara. Por meqë kjo do të jetë thuajse e pamundur, këto negociata do të vazhdojnë pafundësisht, ose perëndimi do të marrë në dorë vendimin për ta zgjidhur këtë çështje," thotë ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes Morton Abramovic. Ish-zyrtari amerikan shpreh besimin se pala shqiptare në negociata do të arrijë të organizohet më mirë dhe do t’i përmbahet një qëndrimi maksimalist në kërkesat e tyre. Nëse ndodh kjo, parashikon zoti Abramovic, sfida kryesore do të jetë decentralizimi. Shqiptarët do të forconin pozitën e tyre nëse që tani angazhohen më seriozisht në zbatimin e standarteve, veçanërisht në mbrojtjen e të drejtave të pakicave.
Në drejtim të garantimit të të drejtave të pakicave, profesori i Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes Hans Binendjik thotë se zgjidhja përfundimtare duhet të përfshijë krijimin e një territori relativisht autonom brenda Kosovës për këto pakica: "Një ndër tre përjashtimet që ka bërë Grupi i Kontaktit është të mos ketë ndarje të Kosovës. Por në realitet Kosova funksionon si e ndarë. Një ndër mënyrat për ta zhbërë këtë ndarje është krijimi i një zone të mbrojtur për pakicat, e cila të ketë një zyrtar të veçantë administrues."
Në diskutimet për të ardhmen ekonomike të Kosovës, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar theksuan se, pavarësisht nga procesi i negociatave, ata po punojnë për të zhvilluar shtyllat e një shoqërie civile me institucione të forta dhe me një ekonomi të suksesshme në Kosovë, në kuadër të ndihmave për zhvillimin e mbarë rajonit. Dorothi Roxhers punon në programin e ndihmave ekonomike pranë Departamentit të Shtetit: "Programet tona të ndihmave kanë për qëllim të krijojnë pavarësinë ekonomike. Shpresojmë se investimet e drejtpërdrejta të bëhen një faktor i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe zhvillimit të mbarë rajonit, pasi integrimi i rajonit të Evropës Jug lindore, si të vetë rajonit ashtu edhe integrimi në Evropë do të jetë një objektiv kryesor. Në këtë drejtim zgjidhja e statusit është shumë e rëndësishme në vendosjen e qëndrueshmërisë, gjë që tërheq edhe një numër më të madh investuesish."
Ecejaket diplomatike të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara Marti Ahtisarit në Prishtinë dhe Beograd pritet të fillojnë brenda një periudhe të shkurtër kohore. Por arritja e një zgjidhjeje do të kërkojë një kohë shumë më të gjatë dhe një angazhim serioz dhe ndoshta imponues nga fuqitë perëndimore. Për Zërin e Amerikës Ardita Simiçia, Washington.