Lidhje

Kosovë: Shefi i UNMIK-ut dhe presidenti i Kosovës debatojnë për procesin e bisedimeve për statusin


Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Soren Jessen-Petersen tha sot se fati i Kosovës është në duart e institucioneve të saj.

Ai i bëri këto komente pas një takimi me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, disa orë para se të mbledh në një takim ekipin e ngociuesve për statusin e Kosovës, me të cilin do të debatojë zhvillimet politike në prag të fillimit të bisedime për statusin politik që sipas tij pritet të fillojnë shumë shpejt. Ai tha se ekipit të ngociuesve që ai e quajti ekip të bashkimit do t'i transmetojë qëndrimet ndërkombëtare rreth fillimit të procesit të bisedimeve.

“Mendoj se është e qartë se fati është në duart e udhëheqësve të Kosovës”, tha zoti Jessen Petersen i bindur se bisedimet mund të fillojnë brenda këtij muaji.

Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova tha se institucionet e Kosovës punojnë për pavarësinë e saj duke bërë thirrje sërish për njohjen e saj të drejtpërdrejtë. Por ai tha se përfaqësuesit politik janë të gatshëm të punojnë edhe në siç u shpreh rrugën ndërkombëtare duke i cilësuar si korrekte parimet e Grupit të Kontaktit rreth bisedimeve për të ardhmen e Kosovës.

“Siç e dini, Grupi i kontaktit ka qenë pozitiv edhe gjatë kohës së kaluar, ato janë qëndrime korrekte që e lënë të hapur çështjen e Kosovës që për ne është pavarësia. Siç e dini është shumë e rëndësishme se do të ruhet territori i Kosovës dhe Kosova nuk do t'i bashkohet ndonjë vendi tjetër. Kosova do të jetë element i sigurisë dhe nuk do t'i kërcënojë vendet fqinje dhe e vlerësoj si një deklaratë me parime korrekte", theksoi presidenti Rugova.

Ekipi i negociuesve të Kosovës ka miratuar në fillim të kësaj jave grupin politik që do të hartojë platformën e Prishtinës për bisedimet rreth statusit, duke dhënë kësisoj shenja të tejkalimit të mospajtimeve të cilat kanë ngadalësuar deri tash përgatitjet për fillimin e bisedimeve. Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen-Petersen por edhe diplomatë të tjerë ndërkombëtarë kanë kritikuar udhëheqësit politik të Kosovës për ngadalësim të procesit, duke u bërë thirrje atyre për bashkim në këtë periudhë që cilësohet me rëndësi vendimtare për të ardhmen e Kosovës.

XS
SM
MD
LG